
Bashkia Shkodër, në bashkëpunim me Shërbimin Social, ka ngritur struktura të reja që do të merren posaçërisht me mbështetjen e fëmijëve në situatë rruge. Specialistja e Shërbimit Social, Marsida Bizi, thekson se ky hap synon të sigurojë kujdes, arsim dhe integrim për fëmijët më të rrezikuar, duke përmirësuar ndjeshëm kushtet e tyre të jetesës.
Këto struktura janë krijuar për të evidentuar rastet në nevojë, për t’u ofruar ndihmë dhe për t’i orientuar drejt shërbimeve sociale që mund t’i ndihmojnë të dalin nga kjo situatë.
Në të njëjtën kohë, Bashkia Shkodër po vijon fushatën sensibilizuese në qytet dhe në pikat kufitare, duke u bërë thirrje qytetarëve të mos japin para për fëmijët që lypin, në mënyrë që të ndihmohet procesi i rehabilitimit të tyre.




