
Pas disa javësh negociatash, mazhoranca dhe opozita kanë gjetur më në fund gjuhën e përbashkët për ngritjen e Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke përfshirë në këtë marrëveshje edhe Partinë Socialdemokrate të Tom Doshit.
Palët ranë dakord që komisioni të përbëhet nga 16 anëtarë, me përfaqësim të barabartë — 8 nga mazhoranca dhe 8 nga opozita. Kjo do të jetë hera e parë që në këtë strukturë do të përfshihen edhe partitë e vogla jashtë grupeve parlamentare.
Për të shmangur çdo bllokim, Partia Socialiste ka pranuar të lëshojë një vend në favor të PSD-së, duke i dhënë kështu Tom Doshit një votë të pavarur brenda komisionit. Nga ana tjetër, opozita ka rënë dakord që përfaqësimi të ndahet si më poshtë: 5 vende për PD-në, 1 për Partinë Republikane, 1 për Partinë e Lirisë dhe 1 për Agron Shehajn.
Komisioni do të ketë dy bashkëkryetarë me të drejtë vetoje, ndërsa pritet të miratohet në seancën plenare të 30 tetorit. Me këtë hap, i hapet rruga procesit të hartimit të rregullave të reja të garës elektorale, që do të ndikojnë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.




