
Punimet për ndërtimin e aksit rrugor Milot–Balldre pritet të nisin në mesin e vitit të ardhshëm. Zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, bëri të ditur se procesi i përzgjedhjes së kompanisë që do të marrë përsipër projektin është në fazën e shqyrtimit të ofertave.
Gara koncesionare, e mbyllur në muajin tetor, ka tërhequr interesin e tre kompanive. Pas përfundimit të vlerësimit, do të nënshkruhet kontrata me ofertuesin fitues dhe më pas do të nisë zbatimi në terren i këtij segmenti të rëndësishëm, pjesë e korridorit Adriatiko–Jonian.
Projekti parashikon që kompania private të ndërtojë aksin brenda një periudhe 30-mujore nga momenti i nënshkrimit të kontratës. Vlera totale e tij arrin në rreth 365 milionë euro pa TVSH, ndërsa kontrata do të ketë një afat prej 35 vitesh. Aksi Milot–Balldre do të shtrihet në një gjatësi prej rreth 17 kilometrash.




