Abstenimi i Shqipërisë për rinovimin e mandatit të UNRWA-s: një qëndrim zhgënjyes në një çështje thellësisht humanitare…

Shpërndaje

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi të premten, me 151 vota pro, zgjatjen e mandatit të UNRWA-s deri në vitin 2029. Megjithë situatën e rëndë humanitare në territoret palestineze, Shqipëria zgjodhi sërish të abstenojë, duke mos iu bashkuar shumicës së vendeve që mbështetën agjencinë kryesore të ndihmës për refugjatët palestinezë.

Përveç Shqipërisë, abstenuan edhe 13 shtete të tjera, ndërsa vetëm 10 votuan kundër. Qëndrimi i Tiranës vjen në një kohë kur komuniteti ndërkombëtar po shton thirrjet për mbrojtjen e civilëve palestinezë dhe UNRWA po përballet me kufizime serioze në terren.

Rinovimi i mandatit bëhet në momentin kur Izraeli ka ndaluar funksionimin e UNRWA-s në disa zona palestineze. Në tetor 2024, parlamenti izraelit miratoi ligje që ndalojnë aktivitetin e agjencisë në Izrael, përfshirë Kudsin Lindor dhe territoret e pushtuara – një vendim i dënuar gjerësisht si shkelje e ligjit ndërkombëtar dhe si kërcënim për miliona palestinezë që varen nga ndihma e saj.

Në këtë sfond, abstinimi i Shqipërisë shihet si një tjetër goditje ndaj koherencës së politikës së jashtme shqiptare, sidomos në çështje humanitare ku pjesa dërrmuese e botës ka marrë një pozicion të qartë.

Shpërndaje