Niset drejt Shqipërisë avioni turk me ekipet e shpëtimit

Shpërndaje

Avioni i Autoritetit turk për Menaxhimin e Katastrofave dhe Emergjencave (AFAD), i cili transporton mjetet e kërkim-shpëtimit dhe ekipin shpëtues është nisur për në Shqipëri pas tërmetet të fuqishëm që goditi vendin, raporton Anadolu Agency (AA).

Zëvendëskryetari i AFAD-it, Hamza Taşdelen, në një deklaratë për AA tha se pas tërmetit, menjëherë janë mobilizuar së bashku me të gjitha institucionet e tjera të Turqisë.

“Aktualisht, me avionin e ngarkesave po dërgojmë 15 teknikë të kërkim-shpëtimit, së bashku me tre mjete të klasës së mesme të kërkim-shpëtimit. Po ashtu, po dërgojmë 27 persona së bashku me gjashtë personele të Ekipit Kombëtar Mjekësor të Shpëtimit, dy të Gjysmëhënës së Kuqe dhe nga dy të AFAD-it dhe sërish të Gjysmëhënës së Kuqe”, tha Taşdelen.

“Ne do t’i ndjekim zhvillimet atje, do të informohemi nga kolegët tanë dhe jemi në gatishmëri të dërgojmë çdo lloj nevoje. Në këtë drejtim, Gjysmëhëna e Kuqe ka përgatitur 120 tenda, 250 batanije dhe 100 sete higjienike. Ne si AFAD i kemi bërë përgatitjet e nevojshme dhe jemi gati të lëvizim. Jemi me Shqipërinë”, shtoi Taşdelen.

Taşdelen u shpreh se janë informuar për dëme edhe në një hotel ku kanë qëndruar shtetas turq.

“Bëhet fjalë për një lëndim me thyerje beli të një shtetasi tanë. Ministria e Shëndetësisë do ta sjellë me shpejtësi shtetasin e lënduar me avion ambulant. Po ashtu, avioni i ngarkesave do të përdoret edhe për të evakuuar edhe shtetasit tanë turq që nuk mund të vijnë”, tha Taşdelen.

Ai tregoi se sot në orët e paradites është bërë thirrje për ndihmë për Shqipërinë përmes Qendrës për Koordinimin e Emergjencave të Bashkimit Evropian (BE).

“Ne u mobilizuam menjëherë në kuadër të kësaj thirrjeje. Mendojmë se ka njerëz që ka mundësi të kenë mbetur nën rrënoja”, shtoi Taşdelen.

Avioni me ekipet e shpëtimit është nisur nga Aeroporti Ushtarak në Etimesgut.

Shpërndaje