Nuk deklaroi 172 mijë euro/ Shpend Ahmeti dënoht me 2 vite burg dhe gjobë 5 mijë euro…

Shpërndaje

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor ish-kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për mosdeklarim të saktë të pasurisë. Ai është dënuar me dy vite burg dhe një gjobë prej 5 mijë eurosh.

Vendimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Leon Perllaska. Dënimi me burg do të ekzekutohet vetëm pasi vendimi të marrë formë të prerë, ndërsa gjoba duhet të paguhet brenda tre muajve nga momenti i ekzekutimit të vendimit përfundimtar.

Përveç dënimit kryesor, Ahmeti është urdhëruar të paguajë edhe 100 euro për shpenzime gjyqësore dhe 100 euro në Fondin për Kompensimin e Viktimave. Gjykata nuk ka pranuar kërkesën e Prokurorisë Speciale për konfiskimin e pasurisë së padeklaruar, me vlerë 172 mijë e 600 euro.

Sipas aktakuzës së ngritur në dhjetor të vitit 2025, Ahmeti, gjatë kohës që drejtonte Komunën e Prishtinës, nga viti 2018 deri në vitin 2022, akuzohej se nuk kishte deklaruar saktë pasurinë pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Prokuroria pretendonte se ai nuk kishte deklaruar 118 mijë e 200 euro të depozituara në llogaritë e tij personale, si dhe 54 mijë e 400 euro të transferuara në llogaritë e nënës së tij. Në total, sipas akuzës, bëhej fjalë për 172 mijë e 600 euro fonde të padeklaruara.

Ahmeti akuzohej për veprën penale “Mosdeklarim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, dhuratave, përfitimeve të tjera materiale ose detyrimeve financiare”, sipas Kodit Penal të Kosovës. Në seancën e shpalljes së vendimit ishte i pranishëm vetëm avokati i tij mbrojtës, Arbër Istrefi.

Shpërndaje