
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me protestat që po mbahen në vend, duke theksuar se nuk pranon që “sharlatanë apo hipokritë” t’i japin leksione për mënyrën se si duhet bërë Shqipëria.
Gjatë një deklarate në podcastin “Flasim”, Rama u shpreh se njerëzit që dalin në protestë nuk i bashkon domosdoshmërisht i njëjti motiv. Sipas tij, në këtë përfshirje ndikojnë edhe rrjetet sociale, “impulset nacionaliste” dhe “manipulimet”, të cilat, siç tha ai, luajnë rol në nxitjen e qytetarëve.
“Unë dua ta them shumë qartë dhe drejtpërdrejtë, kjo është protesta që mua më intereson, që më zemëron po ashtu që më motivon të vijoj luftë time. Nuk më zemër protesta e sikureve apo shtirjeve, ajo më neverit, kjo më zemëron, nëse nuk do të isha në vendin tënd i dashur Amos, do të isha edhe vetë në protestë.
E ndjej zemërimin tënd. Jo çdo kush është në protestë për të njëjtën arsye. Ka nga ata që nuk i çon aty like, influencer, impulset e verbra nacionaliste, manipulimet apo misionet për të manipuluar të tjerët, por një hall që kthehen në zemërim e që më pas shpërthen.
Çdo mesazh që më vjen në telefon unë e ndjek. Ata që më janë vënë pas do të më gjejnë pas, në aspektin e debatit. Nuk pranon çdo sharlatan apo njeri të futur nga të tjerë, apo hipokritë që i kam parë në punë të marrin mikrofonin e të më thonë se si bëhet Shqipëria, këtë nuk e pranoj”, tha ai.




