Britania e Madhe drejt ndalimit të “terapive të konvertimit”, parashikohen deri në 5 vite burg për shkelësit…

Shpërndaje

Britania e Madhe ka prezantuar sot planet për të kriminalizuar praktikat e njohura si “terapi konvertimi”, të cilat synojnë ndryshimin e orientimit seksual ose identitetit gjinor të një persoi, raporton reuters.

Qeveria britanike publikoi këtë të enjte Projektligjin për Praktikat e Konvertimit për Anglinë dhe Uellsin, duke propozuar ndalimin e praktikave që konsiderohen abuzive dhe të dëmshme.

Sipas projektligjit, personat që kryejnë terapi të tilla mund të përballen me gjoba të pakufizuara dhe/ose me dënim deri në pesë vjet burg.

Legjislacioni i propozuar parashikon gjithashtu kriminalizimin e nxitjes ose ndihmës për kryerjen e terapive të konvertimit jashtë Anglisë dhe Uellsit, duke zgjeruar kështu fushën e veprimit të ligjit.

Britania e Madhe u angazhua për ndalimin e këtyre praktikave që në vitin 2021, ndërsa në janar të vitit 2023 riafirmoi zotimin për hartimin e një kuadri ligjor të posaçëm.

Projektligji synon të krijojë edhe mekanizma mbrojtës civilë për personat në rrezik, të ngjashëm me masat që ekzistojnë për rastet e martesës së detyruar dhe gjymtimit gjenital femëror.

Megjithatë, legjislacioni përfshin përjashtime për kujdesin shëndetësor të ligjshëm, duke u lejuar terapistëve, psikologëve dhe këshilltarëve të zhvillojnë diskutime të hapura dhe profesionale mbi seksualitetin dhe identitetin gjinor, pa u përballur me pasoja ligjore.

Projektligji do t’i nënshtrohet fillimisht shqyrtimit para-legjislativ, përpara se të paraqitet në Parlamentin britanik për debat dhe miratim të mëtejshëm.

Shpërndaje