Shqiptarët drejt bashkimit politik në Mal të Zi, partitë pritet të shkrihen në “Forumin Shqiptar”…

Shpërndaje

Partitë politike shqiptare në Mal të Zi pritet të hedhin hapa drejt një bashkimi të plotë në një subjekt të vetëm politik, nën emrin “Forumi Shqiptar”. Synimi është krijimi i një organizimi të përbashkët politik të shqiptarëve në nivel shtetëror, një zhvillim që konsiderohet historik për faktorin shqiptar në Mal të Zi.

Sipas raportimeve të mediave malazeze, në këtë bashkim do të përfshihen Alternativa Shqiptare, Lidhja Demokratike e Shqiptarëve dhe Unioni Nacional Shqiptar. Ideja për unifikim ka ardhur pas rezultateve pozitive të arritura nga bashkëpunimi mes këtyre forcave politike në vitet e fundit.

Mes sukseseve që përmenden janë drejtimi i komunës së Tuzit, sigurimi i dy mandateve në parlamentin malazez dhe përfaqësimi në qeveri me dy poste ministrore.

Burime pranë negociatave bëjnë të ditur se mbështetja në rritje për Forumin Shqiptar, veçanërisht në Ulqin, ka ndikuar gjithashtu në përshpejtimin e procesit të bashkimit. Objektivi kryesor politik mbetet fitimi i drejtimit të komunës së Ulqinit në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Sipas raportimeve, Nik Gjeloshaj shihet si kandidati më i mundshëm për të drejtuar organizatën e re politike, ndërsa rol në negociata kanë pasur edhe Ivan Ivanaj dhe Ferhat Dinosha.

Ky zhvillim po konsiderohet si një nga konsolidimet më të mëdha politike të shqiptarëve në Mal të Zi që nga shpallja e pavarësisë së vendit.

Shpërndaje