Dhunimi i gazetarit Dushi, reagon Luçiano Boçi…

Shpërndaje

Rrahja e gazetarit Ervin Dushi, për shkak të një lajmi nuk është një kronikë dhune. Është alarm politik.
Është momenti kur një shoqëri kupton se fjala nuk po kundërshtohet më me argument, por me grushta.

Ngjarja në Shkodër tregon rënien dramatike të lirisë së medias.
Një gazetar që sulmohet për atë që publikon, merr mesazhin mafioz “mos shkruaj” e “mos fol”.
Nuk ka rëndësi më vetëm censura zyrtare. Vetë klima e frikës prodhon autocensurë, dhe autocensura është forma më e sofistikuar e heshtjes, sepse nuk ka nevojë as për ligj, as për urdhër.
Kjo ngjarje dëshmon njëherazi rrënimin e sigurisë së gazetarit.
Ai nuk ka jetën e sigurtë sot në Shqipëri, sikur të ishim në situatë lufte. Kjo do të thotë se shteti nuk po garanton më minimumin e sigurisë.

Goditja ndaj gazetarit është goditje ndaj vetë lirisë politike.
Sepse media nuk është luks deklamativ i demokracisë. Është sistemi nervor i saj.
Frikësimi i gazetarit verbon qytetarët.
Dhe kur qytetarët verbohen, pushteti bëhet arrogant, i pakontrolluar dhe gradualisht i paprekshëm.

Shkodra ka qenë historikisht qytet i fjalës së lirë, debatit dhe mendimit kritik. Pikërisht prandaj, një akt i tillë ka simbolikë edhe më të rëndë. Nuk është vetëm sulm ndaj një individi. Është provë force ndaj klimës së lirisë.

Dhe heshtja përballë kësaj është bashkëfajësi. Sepse sot rrihet një gazetar. Nesër mjafton një status, një pyetje, një kritikë, dhe dhuna normalizohet si “reagim”. Kështu fillon degradimi i republikave: jo me tanke në rrugë, por me frikën që hyn ngadalë në kokën e njerëzve.

Shpërndaje