INSTAT nis turin kombëtar në Shkodër, fokus digjitalizimi dhe statistikat për qeverisjen vendore…

Shpërndaje

Shkodra ishte ndalesa e parë e një turi kombëtar që INSTAT po zhvillon në disa qytete të vendit, me fokus prezantimin e platformave digjitale dhe forcimin e qeverisjes vendore përmes përdorimit të statistikave zyrtare.

Në këtë kuadër u organizua një workshop me temë “Forcimi i qeverisjes vendore përmes platformave digjitale të INSTAT”, ku morën pjesë përfaqësues të bashkive të qarkut Shkodër, ekspertë të fushës së statistikave si dhe partnerë ndërkombëtarë.

Drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Lantona Sado, theksoi rëndësinë që ka mbledhja dhe përdorimi i të dhënave të sakta në kuadër të procesit të integrimit europian, duke e konsideruar atë një element kyç për përmirësimin e qeverisjes vendore.

Nga ana tjetër, përfaqësuesja e Bashkëpunimit Zviceran për Zhvillim, Sabine Piccard, nënvizoi rolin vendimtar të statistikave të besueshme në zhvillimin e komuniteteve lokale. Sipas saj, vendimmarrja efektive në nivel bashkie kërkon të dhëna të sakta, të aksesueshme dhe në kohë reale, sidomos në fusha si planifikimi urban, shërbimet publike, zhvillimi ekonomik dhe menaxhimi i mjedisit.

Gjatë aktivitetit u prezantuan gjithashtu platformat dhe dashboard-et digjitale të INSTAT për shpërndarjen e të dhënave në nivel rajonal, si dhe u zhvilluan diskutime mbi mënyrën se si statistikat mund të përdoren më mirë në hartimin e politikave lokale dhe në vendimmarrje të bazuar në evidenca.

Shpërndaje