
Kuvendi ka miratuar me 114 vota pro një projektrezolutë të përbashkët mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa vetëm një deputet abstenoi. Dokumenti ka kaluar më parë edhe në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme me konsensus të plotë, pa asnjë votë kundër.
Sipas informacioneve, marrëveshja politike është arritur pas një komunikimi mes përfaqësuesve të dy kampeve, duke çuar në ngritjen e një grupi të posaçëm pune në Komisionin e Punëve të Jashtme me pjesëmarrjen e këshilltarëve dhe deputetëve nga të dyja palët. Gjatë këtij procesi, propozimet e opozitës janë rishikuar dhe harmonizuar deri në formën përfundimtare të rezolutës.
Dokumenti final është mbështetur nga drejtues të lartë politikë të të dy krahëve, duke reflektuar një konsensus të gjerë për çështjen e integrimit europian.
Rezoluta e miratuar riafirmon integrimin në Bashkimin Evropian si objektiv strategjik të vendit dhe thekson rolin e Kuvendit në mbikëqyrjen dhe përshpejtimin e procesit të negociatave. Ajo vë theksin te forcimi i funksionit ligjbërës dhe kontrollues të parlamentit, rritja e transparencës dhe llogaridhënies institucionale, si dhe zbatimi efektiv i reformave.
Gjithashtu, dokumenti kërkon avancim të reformës zgjedhore në përputhje me rekomandimet ndërkombëtare, luftë më të fortë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbrojtje të lirisë së medias dhe forcim të institucioneve demokratike.
Një tjetër pikë e rëndësishme është angazhimi për dialog të vazhdueshëm politik mes mazhorancës dhe opozitës, si dhe përfshirja më e gjerë e qytetarëve dhe shoqërisë civile në procesin e integrimit.
Rezoluta i kërkon gjithashtu qeverisë të raportojë rregullisht për ecurinë e negociatave me BE-në, të përshpejtojë reformat thelbësore dhe të sigurojë përafrimin e plotë të legjislacionit me standardet evropiane.
Në përfundim, Kuvendi thekson se progresi në procesin e anëtarësimit do të vlerësohet mbi bazën e meritës, rezultateve konkrete dhe standardeve demokratike të arritura.




