Sokoli akuza ndaj Këshillit Bashkiak në Shkodër: Propagandë, investime të dështuara dhe shërbim ndaj pushtetit…

Shpërndaje

Nga Imeldi Sokoli

Në funksion të asaj çka ndodhi në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak Shkodër…

Së pari kërkoj ndjesë publike qytetarëve të Shkodrës për mungesën time në mbledhjen e Këshillit Bashkiak.

Së dyti, dua të vë në dukje propagandën skandaloze që ka pushtuar edhe Këshillin Bashkiak.

Këshilltarë që nuk kuptojnë minimalisht funksionin e tyre. Nuk e kuptojnë që nuk janë administratë bashkie dhe nuk e kuptojnë që janë aty për ta ba me funksionu ma mirë bashkinë, për të përçuar zanin e qytetarëve. Në vend të kësaj, vijnë me i ba fresk kryetarit të pandehur në ikje.

Kthehen në lëpirës të pushtetit me mandat qytetarësh, në shërbim të karrigeve.

Nga ana tjetër, administrata e bashkisë me në krye nënkryetarët gjen mundësi me ba propagandë duke than se gjanat po shkojnë mirë dhe ndryshimi asht real.

Në përgjigje të kësaj retorike flasin faktet:

Niveli i realizueshmërisë së investimeve është 35% nji shifër skandaloze që nuk mbulohet me asnji konferencë shtypi dhe as me propaganden kapilare që ban bashkia.

Bashkia mburret me projekte të nivelit qendror që për 10 vite i tregun gishtin Shkodrës, projekte të zvarrituna qëllimisht e politikisht, në funksion të vizionit të gishtit.

Projekte që qeveria persekutore ja ka borxh qytetit të cilat për fatin e keq të Shkodrës po materializohen në mënyrën ma të keqe të mundshme.

Dy shembuj konkretë të këtij fati të keq:

1. Hyrja e qytetit — Një projekt skandaloz që e ndan në mes lagjen e Bahçallekut dhe nuk jep asnjë zgjidhje për aksesin e hyrjes. Gabim i planifikimit që do ta vëmë re edhe mbas mbarimit të urës. Një investim i gabuar që i heq shansin qytetit për t’i dhënë bulevardin hyrës që e meriton.

2. Parku i Bunës — I betonizuar në të dy anët, ashpërson rrezikun e përmbytjeve të mundshme në të ardhmen. Një mauzoleum-beton-bunker që e pengon Bunën me u pa e natyrën me u ndi.

Këto projekte që na shiten si “investime madhore” janë, në realitet, fati i keq i Shkodrës për vetë mënyrën si po materializohen për të mos fol për impakt ekonomik lokal. Investime të cilat, me siguri, do të na lindë nevoja me i përmirësu në të ardhmen me investime të reja — pra, duke paguar dy herë për të njëjtin investim.

Shkodra meriton ma shumë se gishta, beton dhe llomotitje këshilltarësh.

Shpërndaje