Afati mbyllet nesër, Berisha drejt garës i vetëm për kreun e PD…

Shpërndaje

Afati për paraqitjen e kandidaturave për drejtimin e partisë më të madhe opozitare, Partia Demokratike e Shqipërisë, mbyllet nesër në mesditë.

Deri në këtë moment, i vetmi emër i konfirmuar në garë është lideri historik i saj, Sali Berisha, i cili pritet të jetë edhe kandidati i vetëm për të drejtuar partinë në katër vitet e ardhshme.

Bazuar në udhëzimin e miratuar më 18 mars, çdo kandidat duhet të dorëzojë dokumentacionin përkatës brenda orës 12:00 të datës 30 prill. Po ashtu, përcaktohen edhe kriteret që duhet të plotësohen: të kenë të paktën 10 vite anëtarësi në parti, një profil të spikatur publik dhe politik, përvojë drejtuese në betejat politike të saj, si dhe të mos jenë subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Ndërkohë, kryesia e PD ka vendosur që zgjedhjet për kryetar të zhvillohen më 23 maj. Ish-deputeti Ervin Salianji ka shprehur publikisht dëshirën për të kandiduar, por sipas deklarimeve zyrtare të partisë, ai është i përjashtuar dhe për rrjedhojë nuk mund të marrë pjesë në garë.

Në këto kushte, gjithçka tregon se më 23 maj, Sali Berisha do të jetë i vetëm në garë, duke kërkuar mbështetjen e demokratëve për një mandat të ri drejtues.

Sali Berisha ka qenë figura dominuese e PD që nga themelimi i saj në dhjetor 1990. Ai mori drejtimin e partisë në vitin 1991, detyrë që e mbajti deri në vitin 1992, kur u zgjodh President i Shqipërisë. U rikthye sërish në krye të PD në vitin 1997 dhe e drejtoi atë deri në vitin 2013, kur dha dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet parlamentare.

Në shtator 2021, ai nisi lëvizjen “Foltorja” pas vendimit të Lulzim Bashës për ta përjashtuar nga grupi parlamentar. Më pas, në dhjetor të po atij viti, demokratët votuan për shkarkimin e Lulzim Bashës, ndërsa në 22 maj 2022, Sali Berisha u rikthye zyrtarisht në krye të partisë./RealitetiPost

Shpërndaje