
Protesta e së dielës për kryetarin e Partisë Demokratike ishte e suksesshme, ndaj Berisha tha se tubimet mund të përhapen edhe në qytete të tjera.
Në një konferencë për mediat, kryedemokrati u shpreh se opozita do të mblidhet kudo ku ka pakënaqësi nga qytetarët.
“Do të ketë kudo protesta. Aty ku është pakënaqësia do të ngrihet protesta. Regjimi do të përballet në të 4 anët e vendit me qëndresën e fuqishme popullore”, tha Berisha.
Berisha komentoi edhe qëndrimin e ambasadës gjermane në Tiranë e cila dënoi me forcë përdorimin e dhunës në protest.
“Ne jemi të përcaktuar për kryengritje paqësore. Por nëse në këto protesta ka patur dhunë, nuk ka patur asnjë polic të plagosur. Ne mbetemi për protestë paqësore. Në kushtet e një grushti shteti janë të ligjshme të gjitha mjetet. Ne dhunën më të madhe konsiderojmë marrjen e drejtësisë nga pushteti ekzekutiv”, tha kreu i PD.
Sa i përket takimeve të Ervin Salianjit me bazën e PD, Berisha theksoi se nuk i trembet.
“I vetë-përjashtuari është i vetë-përjashtuar nuk ndryshon asgjë. Por birësimet kanë ndodhur dhe ndodhin në të gjitha kohërat. E birësuar, iku mori fund…Po të mos birësohej do të ishte. Ai zgjodhi vetë-birësimin, iku mori fund. Të lutem tani se nuk kam kohë të merrem me atë problem”, tha Berisha.
Kreu demokrat bëri të ditur se protestat nuk do të ndalen deri në rrëzimin e qeverisë Rama.




