Tubimi i PD, Berisha: Jemi në një betejë, protesta e radhës edhe më madhështore…

Shpërndaje

Pas mbylljes së protestës së Partisë Demokratike këtë të diel në Tiranë, kreu i opozitës, Sali Berisha, u shpreh se tubimi ishte një “betejë e shkëlqyer” dhe paralajmëroi se protestat e ardhshme do të jenë edhe më të fuqishme. Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama për korrupsion dhe vjedhje të pasurive publike, duke i bërë thirrje të japë dorëheqjen.

“Kjo ishte një betejë e shkëlqyer dhe ju garantoj se tjetra do jetë edhe më e shkëlqyer dhe për Edi Ramën nuk do ketë më vrimë ku të futet. Kryengritja paqësore e shqiptarëve do t’i japë atij ndëshkimin që meriton”, tha Berisha nga selia blu, duke shtuar se “nuk ka paqe në këtë vend me ata që vjedhin si hiena pasuritë publike”.

I pyetur për incidentin gjatë protestës, ku deputetët e PD-së pretenduan se ai ishte goditur nga policia gjatë ndërhyrjes me ujë dhe gaz lotsjellës, Berisha tha:  “Ajo që bëri Edi Rama ishte një akt i shëmtuar, por ajo vetëm sa rrit vendosmërinë e kryengritësve paqësorë për ta hedhur në Lanë atë dhe regjimin e tij. Jemi në një betejë dhe në këtë betejë nuk kemi të ndalur. Sot fituam një betejë, por edhe më madhështore do të jetë ajo që vjen. Nuk ka paqe me Edi Ramën, por vetëm betejë”.

Protesta e PD-së u mbyll pas më shumë se 2 orësh marshim në rrugët kryesore të kryeqytetit, ku nuk munguan tensionet, molotovët dhe ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës e ujë për shpërndarjen e turmës.

Shpërndaje