
Kuvendi ka miratuar sot (17 mars) rezolutën për shpalljen e Iranit shtet sponsor të terrorizmit. Në fjalën e tij në Kuvend, kryetari i Komisionit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka theksuar rëndësinë e rezolutës së miratuar, e cila sipas tij lidhet drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare të vendit.
Hasani tha se rezoluta synon të riafirmojë angazhimin e Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit dhe mbrojtjen e rendit ndërkombëtar, duke u bazuar në rregulla dhe parime demokratike.
Ai sqaroi se ky qëndrim nuk është kundër popullit iranian, por kundër strukturave dhe institucioneve që përdorin dhunën dhe presionin si instrumente të politikës së jashtme.
“Një rezolutë që lidhet drejtpërdrejtë me sigurinë kombëtare të vendit tonë. Rezoluta kërkon të rikonfirmojë qëndrimin e vendit tonë në luftën kundër terrorizimit dhe ndaj mbrojtës së rendit ndërkombëtar, bazuar në rregulla. Ky qëndrim nuk është kundër popullit iranian, por vetëm me veprimet e strukturave dhe institucioneve që përdorin dhunë, terrorizimin dhe presionin ndaj shteteve të tjera si instrumente të politikave të jashtme. Shqipëria e ka bërë të qartë se siguria e saj kombëtare dhe integriteti i institucioneve tona demokratike nuk janë të negociueshme. Sulmet ndaj një shteti sovran nuk mund të kalojën pa asnjë përgjigje dhe rezoluta është një shprehje e qartë e kësaj përgjegjësie. Rikonfirmojmë se vendi ynë do të vijoje të qëndrojë krah aleatëve”, tha Hasani.
Me 79 vota pro dhe 1 abstenim, Kuvendi miratoi rezolutën, ndërsa opozita bojkotoi seancën e sotme.




