
Pas përfundimit të një procesi konkurrues dhe të hapur për përzgjedhjen e Zëvendësdrejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit, drejtuesi i këtij institucioni ka vendosur emërimin e Mentor Çukut në këtë detyrë.
Ky emërim është bërë në përputhje me pikën 3 të nenit 36 të Ligjit nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i ndryshuar. Sipas këtij ligji, Zëvendësdrejtori i BKH-së emërohet nga Drejtori i Byrosë, me pëlqimin e Drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme, pas zhvillimit të një procedure përzgjedhjeje të hapur dhe transparente. Mandati për këtë funksion është 4-vjeçar dhe mund të rinovohet vetëm një herë.
Për këtë pozicion aplikuan 11 kandidatë që plotësonin kriteret ligjore dhe profesionale të kërkuara. Kandidatët u vlerësuan për nivel të lartë përgatitjeje, eksperiencë në hetim dhe aftësi drejtuese, çka e bëri procesin e përzgjedhjes mjaft konkurrues.
Mentor Çuku aktualisht shërben si hetues në Byronë Kombëtare të Hetimit dhe ka një eksperiencë të gjatë në hetimin e veprave penale që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e rënda. Në karrierën e tij është vlerësuar për integritet profesional, aftësi në drejtim dhe angazhim të vazhdueshëm në punën hetimore.




