
Si shmanget debati për krizën reale në shëndetësi?
Ditën e sotme Ministrja e Shëndetësisë ishte thirrur në një seancë pyetje/përgjigje me deputetin Erjon Braçen, një seancë e stisur pikërisht për të larguar vëmendjen nga problemet reale që po e fundosin shëndetësinë shqiptare.
U harxhua interpelanca me një qendër të vetme shëndetësore në Tiranë, për të cilën në fund u gjet zgjidhja, ndërkohë që sistemi kombëtar është në kolaps.
Zonja Ministre,
Ndërkohë që ju merreni me një ambulancë që mbulon 17 mijë pacientë, në QSUT trajtohen mbi 2 milionë shqiptarë nga i gjithë vendi. Dhe aty situata është alarmante.
Në Onkologji mungojnë barna jetike: Phesgo, Cetuximab, Erlotinib, Abirateron, Imatinib, acid folinik.
Brakiterapia nuk funksionon.
Në Kardiologji mungojnë stendat për javë të tëra.
Bëhen koronarografi, por jo ndërhyrjet e plota që shpëtojnë jetë.
Laboratorët ndalojnë analizat çdo muaj rreth datës 20.
Sistemi i recetës elektronike bie dhe të sëmurët kronikë mbeten pa barna.
Nuk mund të mbulohet kriza e një sistemi kombëtar me debate periferike dhe me rend dite të dizenjuar për të shmangur përgjegjësinë zonja Ministre.
Kliti Hoti deputet i Partisë Demokratike Qarku Shkodër.




