Vendimet e Qeverisë, rriten me 2.5% pagat e administratës.Përfitojnë Presidenti, gjyqtarët e prokurorët…

Shpërndaje

Qeveria ka miratuar sot indeksimin e pagave të administratës publike me 2.5% për vitin 2026. Vendimi përfshinë rritjen e pagës së Presidentit të Republikës dhe të pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, si edhe përditësimin e strukturave të pagave për Gardën e Republikës, Policinë e Burgjeve, koordinatorët kundër korrupsionit, punonjësit mbështetës dhe specialitetet e ndryshme në administratë, si dhe personelin e sistemit shëndetësor.

Përveç indeksimit, në disa sektorë parashikohen edhe rregullime specifike të shtesave dhe kompensimeve.

Vendimi do të hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, ndërsa efektet financiare do të aplikohen që nga 1 janari 2026. Buxheti i miratuar për vitin 2026 do të mbulojë të gjitha kostot e këtij vendimi.

Vendimi

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.87/2025, “Për buxhetin e vitit 2026”, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Paga e Presidentit të Republikës indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës së Presidentit bëhet 435 625 (katërqind e tridhjetë e pesë mijë e gjashtëqind e njëzet e pesë) lekë në muaj.

2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionin e Presidentit të Republikës.

3. Ngarkohet institucioni i Presidentit të Republikës për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.

K R Y E M I N I S T R I

EDI RAMA

V E N D I M PËR INDEKSIMIN E PAGËS REFERUESE BAZË PËR FUNKSIONET GJYQËSORE DHE TË PROKURORISË NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të shkronjës “b”, të pikës 2, të  nenit 8, të ligjit nr.35/2023, “Për kompetencat për caktimin e pagave, trajtimeve të tjera financiare dhe përfitimeve të të punësuarve në institucionet e administratës publike, si dhe të pagës bazë minimale në shkallë vendi”, të ndryshuar, dhe të shkronjës “a”, të pikës 5, të nenit 12, të ligjit nr.96/2016, “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Paga referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë, e cila është e njëjtë me shumëzimin e koeficientit 0.36 (zero pikë tridhjetë e gjashtë) me pagën e Presidentit të Republikës, indeksohet në masën 2,5%. Pas indeksimit, vlera e pagës referuese bazë për funksionet gjyqësore dhe të prokurorisë bëhet 156 825 (njëqind e pesëdhjetë e gjashtë mijë e tetëqind e njëzet e pesë) lekë/muaj.

2. Efektet financiare të këtij vendimi përballohen brenda buxhetit të miratuar për vitin 2026 për institucionet përkatëse.

3. Ngarkohen institucionet, pjesë e fushës së veprimit të këtij vendimi, për zbatimin e tij.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i shtrin efektet financiare nga data 1 janar 2026.

Shpërndaje