Greqia mbyll sallat e faljes, ndërsa shteti nuk jep licenca për hapjen e xhamive…

Shpërndaje

Qeveria greke ka paralajmëruar nisjen e një operacioni gjithëpërfshirës për mbylljen e të gjitha xhamive dhe vendeve të faljes që funksionojnë pa licencë ligjore, kryesisht në zonën e Athinës. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Migracionit dhe Azilit, Thanos Plevris, i cili deklaroi se autoritetet do të zbatojnë me rreptësi ligjin për vendet e adhurimit.

Sipas ministrit, çdo vend-falje që operon pa autorizim do të mbyllet, ndërsa personat që i administrojnë këto ambiente rrezikojnë ndëshkime penale, heqje të lejes së qëndrimit dhe deportim, nëse janë shtetas të huaj.
Megjithatë, ky vendim ka hapur debat publik, pasi shteti grek prej vitesh nuk jep leje për hapjen e xhamive të reja, duke e bërë praktikisht të pamundur funksionimin ligjor të tyre. Për pasojë, shumë besimtarë myslimanë janë detyruar të improvizojnë ambiente faljeje në bodrume, garazhe apo ndërtesa të tjera private, jashtë çdo kuadri ligjor.

Autoritetet greke pranojnë se në Athinë ekzistojnë dhjetëra vende-faljeje të paregjistruara, të cilat nuk përmbushin kriteret minimale të sigurisë dhe higjienës. Këto ambiente janë tani objekt i drejtpërdrejtë i kontrolleve dhe mbylljeve.

Ministri Plevris ka theksuar se operacioni nuk synon një fe të caktuar, por zbatimin e barabartë të ligjit për të gjitha vendet e adhurimit pa licencë. Megjithatë, faktikisht, masat prekin kryesisht komunitetin mysliman, për shkak të mungesës së një sistemi funksional për dhënien e lejeve për xhami.

Vendimi vjen në kuadër të një politike më të ashpër të qeverisë greke ndaj emigracionit dhe aktiviteteve që zhvillohen jashtë rregullave shtetërore, duke shtuar tensionet mbi çështjen e lirisë së besimit dhe trajtimit të komuniteteve fetare në vend.

Shpërndaje