
Bashkia e Shkodrës po përgatitet të rrisë ndjeshëm gjobat për shkeljet rrugore, duke e çuar masën minimale nga 10 mijë lekë të vjetra deri në 50 mijë, ndërsa gjoba maksimale mund të arrijë deri në 200 mijë lekë të vjetra. Ky paralajmërim është bërë publik nga ish-kandidati për deputet i Partisë Demokratike, Tedi Kopliku.
Sipas tij, në vend që bashkia të fokusohet në zgjidhjen e problematikave të parkimit dhe qarkullimit, po ndjek një qasje ndëshkuese, duke e kthyer Shkodrën në “bashkinë e gjobave”, ku barra financiare bie drejtpërdrejt mbi qytetarët.
Postimi i plotë:
Më pozitive, prishet.
Pas rritjeve së taksave dhe gjobave ndaj qytetarëve këto 3 vite, pas dorëzimit të Shkodrës tek Administrata Shëtitëse, pas pengesës së fondeve dhe projekteve për 12 vite, mbylljes së Shkodrës me çelës të përdredhur, lejimit të Kullës 35 katëshe (ndërkohë që mbesin të bllokuara lejet për investimet me interes publik si Maternitetit të Shkodrës), Bashkia Shkodër vjen me një tjetër dhuratë për qytetarët e saj.
Fillon diskutimi për rritjen e gjobës minimale nga Policia Bashkiake nga 1000-2000 në 5000-20000, që do paguhet nga qytetarët e Shkodrës si dhe rritja e çmimit për automjetet e bllokuara.
Kjo nuk vjen si rrjedhë logjike e ndonjë investimi në transportin publik (jo funksional dhe i limituar) apo zgjidhjes së problemit të qarkullimit. Përkundrazi trafiku rëndohet dita e ditës në Shkodër. Kjo nuk vjen as pas ndonjë zgjidhje për parkimin për të cilin Shkodra po kthehet gati si Tirana, ku pjesa më e madhe e vendeve janë të zëna nga bizneset, me tabela të vjetra që as nuk paguhen.
Ky propozim ndryshimi vjen për të rënduar qytetarët dhe për të rritur mundësinë e abuzimeve. Më shumë lek për xhepat e drejtuesit me dy klasë shkollë. Si gjithmonë nga marrja e bashkisë: më shumë beton, më pak shërbime, më shumë show dronësh, me pak barazi e meritokraci.
Kjo nuk ka asgjë nga Shkodra pozitive, që mundohen të na e shesin.





