
Kuvendi i Shqipërisë miratoi në orët e para të mëngjesit të së mërkurës, me 85 vota pro, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 ‘Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë’”, i ndryshuar.
Në votimin në parim, projektligji u mbështet nga 85 deputetë, 10 votuan kundër dhe nuk pati asnjë abstenim. Ndërkohë, amendamenti i propozuar nga deputeti Erion Braçe mori vetëm 2 vota pro dhe 82 abstenime.
Paketa e miratuar përfshin një sërë ndryshimesh të rëndësishme, mes tyre:
dekriminalizimin e veprës penale të shpifjes;
ashpërsimin e dënimeve për ndërtimet pa leje dhe zjarrvëniet;
masa më të rrepta për parkimin e dyfishtë, që parashikon gjobë ose deri në 1 vit burg;
forcimin e mbrojtjes ligjore për gazetarët, duke parashikuar dënime nga 2 deri në 5 vite burg për kanosje apo dhunë ndaj tyre.
Pas miratimit, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, reagoi në rrjetet sociale, duke e cilësuar vendimin si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit të së drejtës dhe integrimit europian.
Sipas tij, ndryshimet adresojnë çështje që lidhen me sigurinë publike, kontrollin e territorit, pastrimin e parave, trafikimin e qenieve njerëzore dhe terrorizmin, si dhe përafrojnë legjislacionin shqiptar me 7 akte kyçe të acquis communautaire të Bashkimit Europian.
Lamallari theksoi gjithashtu se sfida e radhës është hartimi i një Kodi të ri Penal, proces që, sipas tij, po zhvillohet me transparencë dhe përfshirje të gjerë.
Gjatë seancës plenare u miratuan gjithashtu:
• Akti normativ për ndryshimet në ligjin e Buxhetit 2025
• Projektligji për bashkëpunimin strategjik
• Projektligji “Shqipëria në Traktatin për Pronësinë Intelektuale”
• Projektligji “Për tregtinë e pronësisë intelektuale”
• Projektligji “Për shërbimet e agjencive të udhëtimit”
• Projektligji “Për tregtinë e paligjshme të duhanit”
• Projektligji “Për ndryshimin e Kodit Penal”
• Projektligji “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve”
• Projektligji “Për organet e qeverisjes në drejtësi”
• Projektligji “Për dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje”
• Projektligji “Për lobimin në Republikën e Shqipërisë”
• Projektligji “Për importin dhe eksportin e armëve”
• Projektligji “Për organizimin e Komisioneve Hetimore të Kuvendit”
• Projektligji “Për Mediat Audiovizive”




