
Kryeministri Edi Rama pritet të zhvillojë një vizitë pune në Izrael nga 25 deri më 27 janar, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare për Luftën kundër Antisemitizmit. Ai do të shoqërohet nga një delegacion zyrtar shqiptar dhe bashkëshortja e tij, Linda Rama.
Sipas programit zyrtar, Rama do të mbajë një fjalim në seancën plenare të parlamentit izraelit (Knesset), një format i rezervuar për një numër të kufizuar liderësh të huaj. Të hënën, më 26 janar, është parashikuar edhe një takim kokë më kokë me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, i ndjekur nga bisedime mes delegacioneve dhe një deklaratë e përbashkët për mediat.
Vizita zhvillohet në një moment tejet të ndjeshëm ndërkombëtarisht, ndërsa Izraeli vijon operacionet ushtarake në Rripin e Gazës, pavarësisht marrëveshjeve për armëpushim. Ditët e fundit janë raportuar sërish viktima civile si pasojë e sulmeve me dronë, bombardimeve dhe zjarrit të artilerisë në Gaza, Jabalia dhe zona të tjera.
Burime mjekësore lokale bëjnë me dije se pothuajse çdo ditë regjistrohen të vrarë dhe të plagosur, përfshirë gra dhe fëmijë, ndërkohë që spitalet funksionojnë në kushte kritike për shkak të mungesës së energjisë, barnave dhe pajisjeve mjekësore. Ministria e Shëndetësisë në Gaza raporton se që nga tetori i vitit 2023 janë vrarë mbi 71 mijë palestinezë dhe janë plagosur më shumë se 170 mijë të tjerë, shifra që vazhdojnë të rriten.
Në të njëjtën kohë, Benjamin Netanyahu është nën hetim nga Gjykata Penale Ndërkombëtare dhe ndaj tij është lëshuar urdhër-arrest për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, në lidhje me veprimet ushtarake në Gaza.
Ky zhvillim ka shtyrë disa qeveri dhe liderë europianë të mbajnë distancë diplomatike nga kryeministri izraelit, duke shmangur vizita zyrtare dhe takime bilaterale, për shkak të pasojave politike dhe ligjore që lidhen me çështjen në ICC dhe presionin ndërkombëtar mbi luftën.
Në këtë kontekst, takimi i paralajmëruar mes Edi Ramës dhe Netanyahu-t, në mes të raportimeve për vrasje të reja në Gaza dhe izolimit në rritje të udhëheqësit izraelit, pritet të ngrejë debate mbi pozicionimin diplomatik të Shqipërisë dhe mesazhin politik që përcillet në një moment kaq të ndjeshëm për rajonin dhe opinionin ndërkombëtar.




