Nga apartamenti te aksionet në klub futbolli: pasuria e deklaruar e Xhenis Çelës…

Shpërndaje

Pasuria e deklaruar nga Xhenis Agron Çela, vajza e ish-deputetit dhe biznesmenit Agron Çela, dhe bashkëshorti i saj Ergin Fatmir Axhani, kap vlerën totale prej rreth 111,133 euro, sipas të dhënave zyrtare të depozituara deri në momentin e fillimit të detyrës.

Pesha kryesore e kësaj pasurie lidhet me një apartament me sipërfaqe 158.71 m², i vlerësuar në afro 92,981 euro.

Në listën e aseteve figurojnë edhe një automjet me vlerë 7,000 euro, si dhe një mjet i vogël lundrimi, i deklaruar në shumën 8,000 euro, duke reflektuar një profil që ndërthur jetesën urbane me interesa jashtë standardit të zakonshëm.

Çifti ka deklaruar gjithashtu investime në formën e aksioneve në dy subjekte: rreth 1,010 euro në shoqërinë “North Distribution” dhe afro 505 euro në “Klubi i Futbollit Shiroka”.

Sa i përket gjendjes bankare, Xhenis Çela rezulton me rreth 1,610 euro në llogarinë e saj rrjedhëse, ndërsa bashkëshorti i saj me rreth 27 euro. Një tjetër llogari në euro është deklaruar me gjendje zero.

Në total, duke përfshirë pasuritë e paluajtshme, mjetet e transportit, investimet dhe likuiditetet, pasuria familjare e deklaruar arrin në rreth 111 mijë euro.

Shpërndaje