Kopliku: Është koha të zgjohemi, para se ta braktisim qytetin…

Shpërndaje

Nga Ted Kopliku

Bashkia Shkodër është një bastion i djathtë, drejtohet nga një i pandehur për vjedhje dhe menaxhohet nga një farë Mira, më thonë që vjen nga Fieri. Kryetari del të paktën në një bisedë ku tregon që është në dijeni të vjedhjes së 500 mijë eurove dhe kërkon të vjedhë, si i pashkollë, edhe 300 mijë të tjera. Megjithatë, reagimi ndaj tij është shumë i vakët.

Këtë e vura re edhe kur lajmërova nismën Qyteti Im, që ka si qëllim çmontimin e propagandës dhe perceptimit të vitit zero, duke pasqyruar në ditët në vazhdim me fakte gënjeshtrën e një PD-je që nuk ka bërë asgjë në 35 vite.

Nëpër portale ku u pasqyrua lajmi, ishin lëshuar patronazhistët e Bashkisë me administratën shëtitëse dhe pak ose aspak u përgjigjeshin shkodranët, të cilët jo vetëm kanë parë transformimin e qytetit, por edhe kanë punuar në administratën e PD-së.

Këtë frikë dhe apati e vërejta edhe në mesazhet private që mora, ku denoncoheshin afera si Bio Strajca, dhënia e lekëve nën dorë për leje ndërtimi apo abuzime të tjera të administratës Beci, ndërsa disa herë më paralajmëronin të mos i bëja publike emrat e denoncuesve.

Kjo nuk është Shkodra që njoh. Në vitet 2000 u çonim kundër padrejtësive pa pasur nevojë për protesta kombëtare. Thjesht qyteti nuk kishte frikë të shfaqte revoltën. Edhe nën regjimin e Enver Hoxhës ishim të parët në revolta dhe të fundit në nënshtrim.

Është koha që shkodranët të bashkohen dhe për këtë PD-ja e Shkodrës ka një përgjegjësi të madhe. Të lëmë mënjanë pakënaqësitë, hatërmbetjet dhe përçarjet e brendshme, sepse qyteti po drejtohet nga anonimë që kanë ardhur veç si kalimtarë hajdutë.

Është koha të zgjohemi, para se ta braktisim qytetin.

Shpërndaje