Hoti: Dështimi i Bashkisë dhe Ministrisë: Rruga Prekal-Ura e Shtrenjtë në shembje, banorët e Dukagjinit të izoluar…

Shpërndaje

Deputeti i partisë Demokratike Qarku Shkodër Kliti Hoti ka reaguar ndaj situatës me rrugët, pas shembjes së aksit Ura e Shtrenjtë – Prekal.

Postimi i deputetit Hoti:

Bashkia Shkodër dhe Ministria e Infrastrukturës kanë dështuar të garantojnë edhe infrastrukturën minimale për zonat malore.

Shembja e sotme e rrugës Prekal-Ura e Shtrenjtë nuk është një ngjarje e papritur. Kjo është një rrugë ekzistuese, e ndërtuar vite më parë, që ka shërbyer për lidhjen e Dukagjinit me Shkodrën dhe që sot u shemb si pasojë e mungesës së mirëmbajtjes dhe investimeve të vazhdueshme.

Prej vitesh banorëve të Dukagjinit u premtohet ndërtimi i Rrugës së Dukagjinit. Ky premtim është përsëritur në fushata dhe deklarata publike, por në terren nuk ka asnjë punim real. Rruga e re nuk po ndërtohet, ndërkohë që infrastruktura ekzistuese po lihet të degradojë.

Sot, situata është kjo: një zonë e tërë është e izoluar, jo për mungesë projektesh në letër, por për mungesë vullneti për të vepruar. Kjo është pasojë e neglizhencës institucionale dhe e keqmenaxhimit të fondeve publike.

Banorët e këtyre zonave nuk kërkojnë privilegje apo trajtim të veçantë. Ata kërkojnë atë që është detyrim i shtetit: mirëmbajtje, investime reale dhe siguri në lëvizje.

Shpërndaje