
Deputeti i qarkut Shkodër, Kliti Hoti, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale duke ngritur shqetësime serioze mbi fatin e investimeve publike në energjinë e gjelbër. Pamjet nga diga e Qyrsaqit në Vau të Dejës, sipas tij, tregojnë qartë se një projekt i promovuar si model suksesi po rezulton sot i dëmtuar dhe jashtë funksionit, duke hapur pyetje të forta mbi menaxhimin, transparencën dhe përgjegjësinë për fondet e qytetarëve.
Postimi i plotë:
Këto janë pamjet nga diga e Qyrsaqit në Vau të Dejës.
Një impiant fotovoltaik që në vitin 2021 u kontraktua me 468 milionë lekë pa TVSH (rreth 3.9 milionë euro), sot shfaqet i dëmtuar dhe jashtë funksionit.
Kur një investim publik, i ndërtuar për t’u paraqitur si “model i energjisë së gjelbër”, degradohet kaq shpejt, problemi nuk është dielli, por menaxhimi.
Qytetarëve u kërkohet të shtrëngojnë rripin dhe ku energjia shitet si pasuri strategjike kombëtare, dëmtimi i një impianti të ri fotovoltaik është më shumë se një defekt teknik; është simptomë e keqmenaxhimit, mungesës së transparencës dhe logjikës së tenderëve që shërbejnë më shumë për inaugurime sesa për funksion afatgjatë.
Dhe mbi të gjitha: sa nga këto miliona euro investim publik sot janë realisht në shërbim të prodhimit të energjisë?









