
Ministrat apo institucionet që nuk japin informacion brenda afatit 10 ditor do të përballen me sanksione.Në konferencën për të drejtën e informimit, Kryeministri Edi Rama u shpreh se e ashtuquajtura përtaci burokratike duhet të zhduket nga institucionet.
“Dhjetë ditë është koha për t’u përgjigjur, pavarësisht se kjo mund të jetë shumë për intensitetin me të cilin sot zhvillohet bota e informacionit. Nëse në ditën e 11-të nuk ka përgjigje, duhet të ketë sanksione. I kemi kërkuar ministrave të bëjnë delegimin e kësaj përgjegjësie te sekretarët e përgjithshëm. Duhet të sanksionohen si ministrat ashtu edhe sekretarët e përgjithshëm”, tha kreu i qeverisë.
Sipas Ramës, vetërregullsia pa marrje masash nuk do të sjellë asnjë ndryshim në qasjen e ministrive për dhënien e informacioneve.
“Nëse do të ndodhë kjo në mënyrë të përsëritur, do të krijohet ndjesia e urgjencës, do të punohet si me sektorin e gotës gjysmë bosh. Duhet të vendosen sanksione”, tha Rama.
Gjithashtu bëri me dije se qeveria do të përjashtojë nga ligji për shpifjen gazetarët.
“Kemi marrë angazhim që të dekriminalizojmë shpifjen për gazetarët. Nuk ka gazetarë që janë goditur nga paditë për shpifje në fakt, por do ta bëjmë edhe këtë hap që shkon në drejtim të lirisë së fjalës. Dua të theksoj se nuk jemi thjeshtë në kushtet që shprehim vullnet”, tha Rama.
Pjesë e tryezës ishte dhe i Ngarkuari me Punë i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, Andre Rizzo, i cili deklaroi se ka vonesë të vazhdueshme në dhënien e informacionit.
“Transparenca nuk është unifikuar. Zbatimi jo konsistent i unitetit të opinionit publik dhe dhënia me vonesë e informacionit. BE do të vijojë të mbështesë Shqipërinë në të drejtën e transparencës dhe informimit”, tha Rizzo.
Gjatë konferencës u prezantua dhe “Transparent Albania” një faqe që do të përfshijë jo vetëm informacionin mbi transparencën buxhetore, por do të ketë një portë unike në të gjitha programet e transparence.




