
Parkimi në Shkodër është kthyer në një sfidë të përditshme për banorët dhe vizitorët, duke reflektuar mungesën e një menaxhimi efektiv dhe mungesën e zgjidhjeve afatgjata. Deputeti i partisë demokratike Kliti Hoti thekson se problematikat e shumta, nga ulja drastike e vendeve të parkimit te vendosja e korsive pa alternativa, deri te rritja e gjobave selektive, po bëhen barrë për qytetarët. Është koha për një qasje të re, që respekton nevojat e shumicës dhe trajton parkimin si një shërbim publik, jo privilegj i pakëve.
Postimi i deputetit Hoti:
PARKIMET NË SHKODËR – NJË PROBLEM SERIOZ PËR QYTETARËT
Gjendja e parkimit në qytetin e Shkodrës është përkeqësuar ndjeshëm dhe sot për shkodranët gjetja e një vendi parkimi është kthyer në një mision pothuajse të pamundur.
Problematikat kryesore janë të qarta:
▪️ Në arteret kryesore të qytetit janë vendosur korsi biçikletash, duke ulur deri në 50% numrin e parkimeve për automjete, pa ofruar alternativa reale.
▪️ Linjat urbane dhe ndërqytetëse që operojnë në qendër bllokojnë një numër të konsiderueshëm parkimesh, për shkak të mungesës së një Stacioni Urban Ndërqytetës.
▪️ Mungesë totale parkimesh për rezidentët, veçanërisht në zonat e dendura të qytetit.
▪️ Parkime të rezervuara për institucione, shpesh pa kriter dhe të tepruara, siç ishte rasti i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, me 6 vende të rezervuara 24 orë.
▪️ Parkime të rezervuara për biznese dhe individë, të shtuar në mënyrë alarmante në gjithë qytetin, ku në shumë raste janë dhënë në kundërshtim me rregulloren e hapësirës publike.
Dhe “qershia mbi tortë”: rritja e ndjeshme e gjobave dhe vigjilenca selektive e Policisë Bashkiake, që po rëndon drejtpërdrejt xhepin e qytetarëve, pa zgjidhur problemin real.
Shkodra ka nevojë për zgjidhje, jo për improvizime dhe penalizime të njëanshme. Parkimi është shërbim publik, jo privilegj për pak dhe barrë për shumicën.







