
Shqipëria planifikon të hapë rreth 20 qendra pritëse gjatë dy viteve të ardhshme për të menaxhuar rritjen e flukseve migratore. Sipas dokumenteve zyrtare të publikuara nga Agjencia për Mbështetjen e Vetëqeverisjes Vendore, këto qendra do të shërbejnë kryesisht për emigrantë nga Afganistani, Pakistani, Irani, Siria, Libani dhe Gaza, të cilët përdorin territorin shqiptar dhe atë serb si korridor drejt Greqisë.
Në relacionin shpjegues të Planit Kombëtar të Kontigjencës për flukset e përziera migratore 2026–2028, theksohet se institucionet qendrore dhe vendore duhet të jenë të përgatitura për të përballuar një rritje të mundshme të kësaj lëvizjeje, që po ndikon gjithnjë e më shumë në aspektet sociale, ekonomike dhe politike të rajonit.
Plani parashikon ngritjen e mbi 20 qendrave ose hapësirave pritëse në tre qarqet kufitare: Korçë, Gjirokastër dhe Vlorë.




