Arkitekti Çuni kundër planit që lejon ndërtime shumëkatëshe në Qendrën Historike të Shkodrës..

Shpërndaje

Alarmi për Qendrën Historike të Shkodrës është ngritur sërish, këtë herë nga arkitekti Zef Çuni, i cili paralajmëron se plani i ri urbanistik hap rrugën për ndërtime 5 deri në 7 kate në zemër të qytetit. Fjala është për zonën që nis nga xhamia në Fushë Çelë, vijon përgjatë pedonales “Kolë Idromeno”, kalon te kisha e Fretenve në Gjuhadol dhe shtrihet deri te Katedralja.

Sipas Çunit, në këtë hapësirë të mbrojtur parashikohen ndërtime të kategorizuara si KO-3, KO-4 dhe KO-5, që lejojnë struktura shumëkatëshe në kundërshtim të plotë me ligjin për monumentet e kulturës. Ai thekson se çdo ndërhyrje në ansamble historike duhet të bazohet në materialet grafike e fotografike që kanë shërbyer për shpalljen e tyre si monument kulture – një parim që, sipas tij, është anashkaluar krejtësisht.

Çuni e cilëson këtë studim si një kërcënim serioz për pjesën më autentike dhe më europiane të Shkodrës, ku dallohet puna e arkitektit Kolë Idromeno. Ai kërkon që institucionet ta rrëzojnë menjëherë planin dhe të hapin një debat të gjerë me ekspertë, artistë dhe banorë të zonës, të cilët e kanë trashëguar këtë hapësirë të veçantë brez pas brezi.

Edhe më herët, çështja është ngritur në Këshillin Bashkiak nga Imeldi Sokoli (PD), i cili paralajmëroi se ky plan dëmton rëndë qendrën historike. Në atë mbledhje, nënkryetari i bashkisë, Alban Preka, pranoi ekzistencën e planit, duke thënë se synon “zhvillim të qytetit” dhe se më shumë detaje do të jepen pasi dokumenti të finalizohet.

Shpërndaje