
Këshilli i Ministrave ka miratuar sot një seri vendimesh që sjellin ndryshime në strukturën e zëvendësministrave në dy dikastere të rëndësishme: Ministrinë e Shëndetësisë dhe atë të Ekonomisë.
Vendimet e firmosura nga Kryeministri Edi Rama konfirmojnë një ristrukturim të emërtimeve të portofoleve qeveritare, duke sjellë riemërime të zv/ministrave aktualë në funksione të reja, një emërim të ri dhe një largim nga detyra.
Ndryshimet te ekonomia
Ndryshimi më i dukshëm është heqja e portofolit të “Kulturës” nga emërtimi i zëvendësministrave të Ekonomisë. Tre zëvendësministrat aktualë, Blerta Rama, Enkelejd Musabelliu dhe Olta Manjani, janë liruar nga detyra si “zëvendësministra të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit” dhe janë emëruar menjëherë si “zëvendësministra të Ekonomisë dhe Inovacionit”.
Lëvizjet te Shëndetësia, ikën Entela Ramosaçaj, vjen Oltjon Muzaka
Ndryshime ka pësuar edhe Ministria e Shëndetësisë, e cila tashmë në emërtimin e zv/ministrave do të mbajë termin “Mirëqenie Sociale” në vend të “Mbrojtje Sociale”.
Entela Ramosaçaj është liruar nga detyra e zëvendësministres. Në vend të saj, në kabinetin qeveritar bashkohet Oltjon Muzaka, i cili është emëruar zëvendësministër i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Zv/ministret aktuale Denada Seferi dhe Ina Majko janë liruar nga funksioni i mëparshëm dhe janë riemëruar me titullin e ri “zëvendësministre të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale”.
Të gjitha vendimet hyjnë në fuqi menjëherë.
Përmbledhje e lëvizjeve
Oltjon Muzaka- Emërohet Zv/Ministër i Shëndetësisë.
Entela Ramosaçaj – lirohet nga detyra.
Blerta Rama – Riemërohet Zv/Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Enkelejd Musabelliu – Riemërohet Zv/Ministër i Ekonomisë dhe Inovacionit.
Olta Manjani – Riemërohet Zv/Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit.
Denada Seferi – Riemërohet Zv/Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.
Ina Majko – Riemërohet Zv/Ministre e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale.




