Me 77 vota pro dhe 36 kundër, Kuvendi miratoi pas një seance të gjatë projektligjin për Barazinë Gjinore…

Shpërndaje

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e së enjtes projektligjin për Barazinë Gjinore, me 77 vota pro, 36 kundër dhe 0 abstenim, pas një seance maratonë të shoqëruar nga debate të forta politike.

Projektligji është pjesë e detyrimeve që Shqipëria ka ndaj Bashkimit Evropian dhe synon të përmirësojë kuadrin ligjor të vitit 2008, duke garantuar të drejta të barabarta për gratë dhe burrat në të gjitha fushat e jetës.

Sipas dokumentacionit shoqërues, ligji i ri është harmonizuar me standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e Komisionit Evropian, i cili ka kërkuar miratimin e tij brenda vitit 2025 si pjesë e piketave për hapjen e kapitujve themelorë të negociatave.

Por miratimi i projektligjit u parapri nga një përplasje e fortë politike, pas deklaratave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndaj ambasadorit të BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato.

Berisha akuzoi ambasadorin se po “imponon bindjet e tij personale” mbi ligjin, duke kërkuar publikisht që të tregojë “cilën direktivë të BE-së mbështet këtë projektligj”.

Reagimi i mazhorancës ishte i menjëhershëm. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste kërkoi ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin direkt në votim të projektligjeve në rendin e ditës.

Propozimi i kreut të grupit, Taulant Balla, u miratua me 77 vota pro dhe 15 kundër.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Balla e cilësoi deklaratën e Berishës si “incident të rëndë diplomatik”, duke njoftuar se PS i është drejtuar Komisionit të Etikës për të kërkuar përjashtimin e Berishës për 30 ditë nga seancat plenare dhe komisionet parlamentare.

I kërkojmë Partisë Demokratike të distancohet nga kjo deklaratë e turpshme. Ky është një sulm ndaj një ambasadori, që bie ndesh me kodin e etikës së Kuvendit,” tha Balla, duke shtuar se “bazuar në nenin 65, kërkojmë përjashtimin e deputetit Berisha për 30 ditë.”

Ai kërkoi gjithashtu një pushim 30-minutësh për mbledhje të grupit parlamentar socialist, duke theksuar se sulmi ndaj ambasadorit nuk lidhet me përmbajtjen e ligjit, por me vlerësimet pozitive të Komisionit Evropian për Shqipërinë.

Nga ana tjetër, Berisha mohoi akuzat, duke deklaruar se nuk ka fyer ambasadorin dhe se ka shprehur publikisht një kërkesë për sqarim mbi bazën ligjore të qëndrimit të BE-së.

Kam kërkuar nga ambasadori të na tregojë cilën direktivë mbështet këtë ligj. Zonja Marta Kos thotë se ai ka mbajtur qëndrimin e BE-së. Cila direktivë e BE-së përdor terminologjinë e përkatësisë së shumëfishtë gjinore?” u shpreh Berisha.

Përplasja mes palëve ka ndezur debat të fortë në Kuvend, duke sjellë reagime të ashpra dhe kërkesa për masa disiplinore ndaj kreut të opozitës.

Pas debatit, Partia Socialiste kërkoi ndërprerjen e diskutimeve dhe kalimin direkt në votim të projektligjeve në rendin e ditës.

Balla kërkoi gjithashtu një pushim 30-minutësh për mbledhje të grupit parlamentar socialist, duke theksuar se sulmi ndaj ambasadorit nuk lidhet me projektligjin për barazinë gjinore, por me vlerësimet pozitive të Komisionit Europian për Shqipërinë.

Gjithashtu Kuvendi miratoi të gjitha projektligjet e parashikuara për të kaluar në votim gjatë seancës plenare, mes tyre rrëzimin e kërkesës së Partisë Demokratike për shkarkimin e Presidentit të Republikës Bajram Begaj.

Ndërkohë që opozita dhe mazhoranca votuan me 105 vota pro për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore.

/rtsh.al/

Shpërndaje