Siria njeh Kosovën — një hap historik në arenën ndërkombëtare!…

Shpërndaje

Në një zhvillim historik për diplomacinë kosovare, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Siria ka njohur zyrtarisht pavarësinë e Kosovës. Lajmi është bërë i ditur nga Riadi, ku me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, u arrit marrëveshja mes dy shteteve. Ky hap përfaqëson një moment të rëndësishëm në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe rritjen e numrit të njohjeve nga vendet anëtare të OKB-së.

Postimi i presidentes Osmani:

Siria njeh Kosovën! 🇽🇰🇸🇾

Me mbështetjen e Lartësisë së tij Mbretërore, Princit të Kurorës së Arabisë Saudite, Muhammed bin Salman Al Saud, sot ne Riad arritëm marrëveshjen nëpërmjet së cilës Republika Arabe e Sirisë njeh Republikën e Kosovës. Falënderoj Presidentin Al Sharaa për vendimin për njohje të Kosovës si dhe për mbështetjen e tij për popullin tonë.

Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë.

Falënderoj Princin e Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite që e bëri të mundshëm këtë akt historik ndërmjet dy shteteve tona. 🇽🇰🇸🇦

Tani Kosova njihet nga 120 shtete. Republika jonë po ecë përpara dhe nuk ka asgjë që mund ta ndalë!

Shpërndaje