
Ted Kopliku shpall kandidaturën për drejtimin e Departamentit Brain Gain, një strukturë që ai e quan krenarinë më të madhe të rrugëtimit të tij politik dhe një nga risitë më të bukura të politikës shqiptare. Me përvojën si koordinator i Rrjetit të Brendshëm dhe si bashkëthemelues i filozofisë që ndërtoi këtë departament, ai synon të vazhdojë punën e nisur, duke e çuar më tej si qendër mendimi strategjik të Partisë Demokratike dhe urë lidhëse me elitat brenda e jashtë vendit.
Postimi i Ted Koplikut:
Shpall kandidaturën për drejtimin e Departamentit Brain Gain.
Departamenti Brain Gain për mua është një nga krenaritë më të mëdha të rrugëtimit tim politik, si bashkëthemelues dhe promovues i nje filozofie të të bërit politikë. Drejtimi i këtij departamenti në kohë kaq të vështira politike është një përgjegjësi e madhe. Misioni për ta çuar punën e këtij departamenti më larg bëhet thuajse i pamundur, pas një drejtimi të suksesshëm të arkitektit të tij, Andi Mustafaj.
Megjithatë, këtë përgjegjësi e ndjej ta marr nëse zgjidhem nga anëtarët, për të bërë të mundur vazhdimësinë e një pune të jashtëzakonshme që është bërë këto tre vite dhe për ta çuar më larg, duke e konfirmuar këtë departament si qendër mendimi strategjik në Partinë Demokratike dhe ndërtues urash me trurin që i është larguar Shqipërisë, në të gjitha kuptimet.
Si koordinator i Rrjetit të Brendshëm prej disa muajsh, në bashkëpunim me drejtuesin dhe anëtarët e tjerë, kemi krijuar një strukturë moderne me një data-base të plotë për anëtarët dhe jemi munduar që ta promovojmë si diçka të shëndetshme për politiken shqiptare në përgjithësi dhe Partinë Demokratike në veçanti.
Kandidimin tim e shoh si diçka të natyrshme, duke qënë një person që e njeh prej ditës së parë punën e këtij departamenti dhe beson në misionin e tij. Në punën tonë prej tre vitesh kemi pasur suksese dhe dështime, megjithatë jam i bindur që kemi krijuar një realitet dhe filozofi të re brenda PD, duke kontribuar seriozisht në ndërtimin e këmbës së dytë : atë të propozimit.
Një nga sukseset më të mëdha, në mendimin tim, janë identifikimi i rëndësisë së luftës ndaj propagandës, duke botuar manualet më të rëndësishme të anti-propagandës dhe mundësia që i është dhënë elitave, kryesisht të reja, të bëjnë politikë prej nga aty ku ata ndodhen.
Ajo që duhet të bëhet më mirë është komunikimi me strukturat e Partisë Demokratike, për të marrë më seriozisht punën e këtij departamenti. Një shembull konkret është beteja ndaj propagandës dhe ndërtimin e narrativës, e pa ndikuar nga ritmi që regjimi imponon në debatin publik, tashmë e pranuar edhe zyrtarisht si një gabim strategjik nga Kryesia e PD.
Drejtimi i ri i Departamentit Brain Gain duhet të ndërtohet për t’ju përgjigjur këtij realiteti.
Programin e drejtimit do e dërgoj ditët në vijim për ta diskutuar gjatë muajit tetor edhe me kandidatët e tjerë dhe anëtarët e departamentit, për të vendosur bashkarisht pas zgjedhjeve vazhdimin e rrugëtimit.
Në propozimin tim programi do ngrihet mbi tre shtylla : (1) Antipropaganda dhe narrativa ; (2) Headhunters ; (3) Propozime strategjike.
Departamenti Brain Gain duhet të vazhdojë të ndihmojë Partinë Demokratike për të luftuar propagandën e regjimit dhe për të ndërtuar narrativën e saj, të krijojë ura lidhëse me elitat intelektuale brënda dhe jashtë vendit si dhe të sugjerojë Partisë Demokratike strategji politike duke marrë kështu një dimension think tank-u dhe mundësie e hapësire për të bërë politikë.
Projektet aktuale si Laboratori i Ideeve, Zërat, Akademia Brain Gain, Rrjeti i Ambasadorëve, etj. do ridimensionohen rreth këtyre bazave për të bërë më mirë ata që janë bërë deri dje dhe duke korigjuar atë që nuk ka funksionuar.
Krenar të isha pjesë e kësaj eksperience dhe shpresoj të vazhdoj të kontribuoj në atë që une e quaj risia më e bukur e politikës shqiptare, në kohët më të turbullta politike dhe sociale të vendit tonë.
I hapur për çdo lloj sugjerimi.




