
Mesila Doda ka vendosur të mos jetë pjesë e grupit të ri parlamentar të aleatëve të PD, duke u shpallur deputete e pavarur dhe duke mbetur përfaqësuese e PDIU-së. Arsyeja sipas saj lidhet me mungesën e konsultimit për ndarjen e grupeve dhe faktin që nuk pranon të qëndrojë në të njëjtin grup me Vangjel Dulen.
Plani i Sali Berishës për të bashkuar partitë aleate në një grup nën drejtimin e Fatmir Mediut hasi pengesë tek përplasja historike greko-çame. Megjithatë, ai ka arritur të formojë një grup prej 7 deputetësh, ku përveç Mediut, bëjnë pjesë edhe Vangjel Dule, Artan Luku dhe katër deputetë të rinj të dalë nga listat e PD.
Ndërkohë, Berisha i ka dhuruar Ilir Metës tre mandate për t’i krijuar një grup tjetër parlamentar, duke e konsoliduar kështu opozitën në disa blloqe. Në këtë mënyrë, Partia Demokratike mbetet me vetëm 35 deputetë në grupin e saj, por kjo nuk pritet të ndikojë në përfitimet që secili grup do të marrë nga buxheti i shtetit – si paga, dieta dhe kohë në sallë.
Në parlamentin e ri numërohen plot 15 parti politike, nga të cilat 9 janë aleate të Berishës. Shumë prej tyre ekzistojnë vetëm në letër, pasi kryetarët realë nuk shfaqen në jetën publike, por falë deputetëve të dhuruar nga PD, ato sigurojnë të ardhura dhe përfaqësim formal.




