
Qeveria ka prezantuar programin e saj të ri, ku ndër çështjet kryesore fiskale përfshihet rritja graduale e pagës minimale nga 40 mijë lekë në nivelin 500 euro deri në vitin 2026, miratimi i Paqes Fiskale për faljen e detyrimeve tatimore më të vjetra se 10 vite, si dhe vendosja e një takse të re mbi pasuritë e paluajtshme.
Programi bazohet në tre shtylla kryesore: Shqipëria Europiane, Rritje ekonomike e qëndrueshme dhe Mirëqenie për të gjithë. Ky dokument pritet të prezantohet nesër në seancën plenare, ku qeveria e re me 16 anëtarë do të kërkojë votëbesimin.
Disa nga masat fiskale të programuara:
Mobilizimi i mbi 2 miliardë eurove kredi dhe garanci për bizneset përmes Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Zhvillimit, me synim rritjen e prodhimit dhe investimeve.
Zbatimi i Strategjisë Kombëtare Industriale për të orientuar ekonominë drejt sektorëve me vlerë të shtuar dhe konkurrencë moderne.
Paketa për zonat malore, që parashikon lehtësim në marrjen e lejeve të ndërtimit dhe dokumenteve të pronësisë. Për 500 sipërmarrësit e parë përfitues, do të ketë 10 vite pa tatime dhe pa TVSH.
Krijimi i ‘Credit Bureaus’ për të ulur rrezikun në dhënien e kredive.
Heqja e çmimeve të referencës për importet nga BE, për të ulur kostot dhe për të lehtësuar tregtinë.
Gjithashtu, parashikohet që shërbimet e punësimit të jenë plotësisht dixhitale dhe inteligjente, ndërsa në infrastrukturë është planifikuar përfundimi i disa projekteve madhore brenda këtij mandati.




