
Punonjësit e shtetit që u angazhuan në operacionet e shuarjes së zjarreve gjatë verës do të përfitojnë një shpërblim financiar, i cili shkon deri në 3 paga mujore bruto, në varësi të kohëzgjatjes së angazhimit të tyre.
Vendimi i Këshillit të Ministrave, tashmë i botuar në Fletoren Zyrtare, hyn menjëherë në fuqi dhe përcakton shpërblimin për personelin e Forcave të Armatosura, Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, Policisë së Shtetit, Drejtorisë së Përgjithshme të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit, si dhe shërbimeve zjarrfikëse në bashki.
Shuma totale e parashikuar për këtë qëllim është 262.7 milionë lekë, ku pjesa më e madhe i takon Ministrisë së Mbrojtjes me mbi 193 milionë lekë, ndërsa rreth 69.6 milionë lekë do të shpërndahen për Policinë e Shtetit. Brenda buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes, 145.8 milionë lekë janë destinuar për forcat e luftimit, 43.4 milionë për mbështetjen e tyre dhe afro 4 milionë për emergjencat civile.
Sipas përcaktimeve, shpërblimi jepet në masën e një page mujore për angazhimin nga 1 deri në 7 ditë, dy paga për periudhën 8 deri në 15 ditë, ndërsa për mbi 16 ditë punonjësit do të marrin shpërblim sa tre paga mujore.




