Turqia ndërpret plotësisht marrëdhëniet tregtare dhe ekonomike me Izraelin…

Shpërndaje

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, deklaroi të premten se Ankaraja ka ndërprerë të gjitha lidhjet tregtare dhe ekonomike me Izraelin, duke mbyllur njëkohësisht edhe hapësirën ajrore për avionët izraelitë.

“Ne kemi ndërprerë plotësisht tregtinë me Izraelin. Nuk lejojmë më anijet turke të shkojnë në portet e tij dhe as avionët e tyre të futen në hapësirën tonë ajrore,” tha Fidan.

Vendimi i Turqisë vjen si përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit në konfliktin në Gaza, ku viktimat civile dhe sulmet e intensifikuara të ushtrisë izraelite kanë nxitur reagime të forta ndërkombëtare. Ky hap përbën një nga masat më drastike të marra nga një vend me lidhje të gjata tregtare me Izraelin.

Sipas raportimeve, bllokada përfshin ndalimin e të gjitha anijeve izraelite në portet turke dhe ndalimin e avionëve, sidomos atyre që mbartin ngarkesa ushtarake ose municione.

Kjo lëvizje pritet të ketë pasoja të ndjeshme ekonomike, pasi Turqia ishte ndër partnerët kryesorë tregtarë të Izraelit në rajon. Nga ana tjetër, ajo forcon pozicionin e Ankarasë si mbështetëse e çështjes palestineze, një qëndrim që presidenti Erdogan e ka artikuluar shpesh në arenën ndërkombëtare./RealitetiPost

Shpërndaje