Spiropali: Shkodra përballë kujtesës së dhimbshme: viktimat e diktaturës kërkojnë drejtësi e respekt…

Shpërndaje

“Kujtesa nuk është e së shkuarës, por detyrim i së tashmes”. Me këtë mesazh u mbajt në Shkodër simpoziumi “Kufiri i shpresës dhe i vdekjes 1944–1991 – Shkodra përballë të kaluarës”, organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), në kuadër të 30 gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Personat e Zhdukur.

Në fjalën e saj, kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, tha se Shkodra, për shkak të afërsisë me kufirin e Malit të Zi, ishte një nga qytetet më të goditura nga regjimi komunist. Sipas saj, ky territor i militarizuar përjetoi survejimin e rreptë, ndëshkime, internime dhe ekzekutime, duke e bërë qytetin simbol të përndjekjes, por edhe të rezistencës.

“Ky qytet ka mbajtur mbi supe vuajtje të mëdha, por nuk ka humbur identitetin dhe kulturën. Viktimat e diktaturës meritojnë respekt, kujtesë dhe drejtësi. Kjo nuk është vetëm dhimbje e familjeve, por plagë kolektive që kërkon përgjigje publike,” u shpreh Spiropali.

Të pranishëm në aktivitet ishin familjarë të viktimave, përfaqësues të shoqërisë civile dhe ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato. Ai theksoi se përballja me të kaluarën është një përgjegjësi e përbashkët dhe se BE e ka mbështetur Shqipërinë që prej vitit 2017 në procesin e kërkimit dhe dokumentimit të personave të zhdukur.

“Është e rëndësishme të mbajmë gjallë kujtesën, të sigurojmë drejtësi për viktimat dhe familjet e tyre, dhe të forcojmë institucionet që e bëjnë këtë të mundur,” deklaroi ambasadori Gonzato.

Simpoziumi synoi të japë zë viktimave të diktaturës, të dokumentojë faktet dhe të ndërgjegjësojë shoqërinë për një të shkuar që nuk duhet harruar, në mënyrë që drama të tilla të mos përsëriten më.

Shpërndaje