Presidenti Begaj viziton Xhaminë e Plumbit në Shkodër…

Shpërndaje

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, zhvilloi sot një vizitë në Xhaminë e Plumbit, ku u prit nga Myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari.

Gjatë takimit, Myftiu i uroi mirëseardhje dhe shprehu mirënjohjen për vizitën e Presidentit në këtë monument historik të restauruar. Ata zhvilluan një bashkëbisedim të ngrohtë, ku u diskutuan detaje rreth historisë dhe arkitekturës së xhamisë, si dhe roli i komuniteteve fetare në Shkodër.

Presidenti Begaj, i shoqëruar nga Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni, drejtori i Medresesë “Haxhi Sheh Shamia” Kujtim Dervishi, imamë dhe stafi i Myftinisë, vlerësoi trashëgiminë kulturore dhe shpirtërore që përfaqëson Xhamia e Plumbit.

Në takim u theksua kontributi i komuniteteve fetare në rimëkëmbjen e vendit, veçanërisht pas ngjarjeve historike të nëntorit 1990. Myftiu Sytari informoi Presidentin për aktivitetet e vitit jubilar të 35-vjetorit të rihapjes së kishave dhe xhamive, duke propozuar nderimin e tre komuniteteve fetare të Shkodrës për rolin e tyre në promovimin e harmonisë, pajtimit dhe solidaritetit.

Në përfundim të vizitës, Myftiu i dhuroi Presidentit Begaj kolanën e veprës së plotë të dijetarit shkodran, Imam Vehbi Ismaili (1919–2008).

Shpërndaje