Të gjithë pajisjet radio që përdoren për komunikim përmes frekuencave do të vihen nën kontroll dhe këto do të ushtrohen në mënyrë të përbashkët nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare dhe Inspektorati për Mbikëqyrjen e Tregut. një rregullore e nxjerrë për konsultim nga AKEP që ka në fokus zbatimin e rregullit teknik për pajisjet radio nënvizon se kjo nuk është e zbatueshme për pajisjet radio, që përdoren ekskluzivisht për aktivitete që lidhen me sigurinë publike, mbrojtjen, sigurinë kombëtare dhe aktivitetet e shtetit në fushën e zbatimit të ligjit kundër krimit në Republikën e Shqipërisë si dhe për pajisjet radio që përdoren nga radioamatorët, përveç rastit kur pajisja është e mundshme për t’u tregtuar.
Rregullorja synon që të garantojë një përdorim më efecient të frekuencave, shmangien e interferencave të dëmshme, shmangien e shqetësimeve elektromagnetikë, sigurimin e shëndetit publik.
I njëjti dokument nënvizon se prodhuesit duhet që të zbatojnë të gjithë kërkesat që sanksionohen në një vendim të këshillit të ministrave ndërsa importuesit duhet të ruajnë për një afat 10 vjeçar certifikatën përkatëse të konformitetit. “Kur importuesi vlerëson ose ka arsye të mendojë se pajisja radio nuk është në konformitet me kërkesat thelbësore përcaktuar në nenin 3, ai nuk duhet të vendosë në treg këtë pajisje radio, deri në momentit që të jetë kryer njohja e konformitetit. Kur pajisja radio përbën rrezik, importuesi duhet të njoftojë prodhuesin dhe strukturën përgjegjëse për mbikëqyrjen e tregut. Importuesi, në pajisjen radio (ose në paketim, ose në një dokument që shoqëron pajisjen radio) vendos emrin e tij, emrin tregtar ose markën tregtare të regjistruar, adresën postare në të cilën ai mund të kontaktohet, si dhe kontaktet e tij telefon dhe email. Importuesi siguron që pajisja radio të shoqërohet nga udhëzimet për përdorimin ose, sipas rastit, udhëzimet për mirëmbajtjen, si dhe nga informacioni për sigurinë në gjuhën shqipe, të cilat duhet të jenë lehtësisht të kuptueshme” përcaktohet gjithashtu në rregullore.
Ndër të tjera dokumenti sjell në vëmendje se do të ngrihet edhe një regjistër i posaçëm për regjistrimin e tipeve të pajisjeve radio sipas kategorive që impaktohen nga një nivel i ulët i pajtueshmërisë me kërkesat thelbësore.
“Duke filluar nga data 1.1.2020, prodhuesit duhet të regjistrojnë në AKEP tipet e pajisjeve radio, brenda kategorive të pajisjeve radio që impaktohen nga një nivel i ulët i pajtueshmërisë me kërkesat thelbësore të përcaktuara në nenin 3 të VKM nr. 378, në një regjistër të siguruar nga AKEP, përpara se ato kategori të vendosen në treg. Gjatë këtij regjistrimi, prodhuesi duhet të sigurojë, disa ose kur lind nevoja, të gjitha të dhënat e dokumentacionit teknik, të përcaktuara në aneksin V të VKM nr. 378. Prodhuesit, për çdo pajisje radio të vendosur në tregun Shqiptar, duhet të vendosë numrin e regjistrimit, që fiksohet mbi pajisjen radio të vendosur në treg” thuhet në rregullore.
Inspektorati i mbikëqyrjes së tregut do të raportojë çdo vit me statistika rreth gjendjes në këtë treg si dhe të sigurojnë informacion mbi konformitetin e pajisjeve radio në përputhje me kërkesat e këtij rregulli teknik, duke përfshirë dhe kërkesat mbi identifikimin e operatorëve ekonomik.