Dy ish-drejtuesit e Bashkisë: Nuk mundemi, nuk duam sirianë në Lezhë

Shpërndaje

Në media përflitet një plan për strehimin e refugjatëve sirianë – rreth 26 mijë – në zona të ndryshme të Shqipërisë.

Një ndër këto zona të përfolura është edhe Gjadri.

Nuk ka njoftim zyrtar, por lajmet dalin për shkak të diskutimeve të mbyllura brenda Bashkive me të dërguar nga Tirana.

Sipas planit që kanë botuar mediat lokale, të cilat citojnë burime bashkiake, në Gjadër të Lezhës do të ngrihet një kamp për të strehuar 5.000 sirianë.

Mes reagimeve të shumta është ai i ish-nënkryetares së Bashkisë Lezhë Alfrida Marku, e cila ka bërë një listë të detajuar me arsyet përse Gjadri ose Lezha nuk është vendi i duhur për të ngritur një kamp të tillë.

Reagimi i saj:

Banorët e Lezhës, autoritetet vendore, përfaqësues të Lezhës në nivel qëndror si dhe çdo figurë publike me autoritet përfaqësimi DUHET të reagojnë kundër ngritjes së kampit në Gjadër ku do të vendosen 5 mijë refugjatë nga Siria. E kjo për disa arsye:

  1. Shqipëria nuk ka situatën ekonomike dhe sociale për të pritur 30 mijë refugjatë. Gati 500 mijë shqiptarë janë larguar në 7 vjet nga varfëria dhe pasiguria e thellë. Shtete të tjera mund dhe duhet të presin popullin siran.
  2. Të ardhurat për frymë si dhe çfarë i dedikohet Lezhës nga buxheti i shtetit janë të pamjaftueshme për një standart që në masën dërrmuese është larg mesatares së jetesës.
  3. Vendimi për pritjen e 30 mijë sirianëve duhet të kalojë patjetër në Referendum Kombëtar
  4. Në Lezhë, harmonia krahinore dhe fetare është model por edhe e brishtë aq sa gjithmonë është treguar kujdes të ruhen balancat në pushtet dhe përfaqësim.
  5. Integrimi i refugjatëve do ishte jo i lehtë, duam apo s’duam ta pranojmë.
  6. Rendi dhe siguria në vend janë në pikën më të ulët.

Marku hedh dyshime se donacionet dhe kreditë e dhëna për rindërtimin, kanë pasur si kusht pranimin e sirianëve që Europa nuk i do.

Rama në mungesë të plotë transparence me publikun, “u është nënshtruar pa kushte” – thotë ish-zyrtarja bashkiake.

Portali Lezha News sjell edhe reagimin e ish-kryetarit të Bashkisë.

“Nuk e di sa zyrtar është ky diskutim që bëhet në rrjetet sociale për një numër të konsiderueshëm refugjatësh nga Siria që thuhet se do vijnë në Shqiperi dhe një pjesë e tyre në Lezhe(!). Por nëse është e vertetë, lëvizje popullate kaq masive duan shumë seriozitet, institucione te konsoliduara dhe infrastrukturë të pershtatëshme pasi nuk është fjala thjeshtë vetëm për fjetina, mensa e banjo. Do ketë probleme rendi, trafikimi, arsimimi, shëndetsie etj. Ata njerëz duhen ndihmuar por nuk mjafton vetëm ‘bukë, kripë e zemër’. Thashë t’ua rikujtoja ‘kopetentëve’ që mund ta kenë marrë lehtë këtë fenomen!” – thotë Frrokaj, i cituar nga mediat lokale.

Shpërndaje