Ndryshon skema e vlerësimit për KEMPI-n; Hiqet pagesa nëse qëndron më shumë se 3 muaj jashtë vendit

Shpërndaje

Hyjnë në fuqi, kriteret e reja të vlerësimit të dosjeve për pagesat e paaftësisë. Shqyrtimi për përfitim të pagesës së paaftësisë do të kryehet nëpërmjet një skeme të re. Sipas vendimit, dosjet më parë do të shqyrtohen nga një komision në nivel kombëtar më pas nga komisionet eprore pranë Shërbimit Social Shtetëror.

Me rregullat e reja përfitues të pagesës, apo siç njihet ndryshe KEMP do të jenë edhe personat të  cilët  në  5  vitet  e  fundit  para  lindjes  të  së drejtës nuk kanë 12 muaj sigurim shoqëror dhe nuk kanë qenë përfitues të pagesës më parë.

Vendimi përcakton se ndihma e paaftësisë ndërpritet për personat që qëndrojnë më shumë se 3 muaj jashtë, pa arsye shëndetësore dhe për jorezidentët.

Pagesa ndërpritet edhe për ata që nuk dorëzojnë dosjen në afatet e përcaktuar në Rregullore.

Ndryshimet për kriteret e vlersimit  percaktojne ngritjen e 5 komisioneve që do të shqyrtojnë dosjet në nivel kombëtar. Pas shqyrtimit të dosjeve nga komisionet kombëtare, do t’i kalohen për shqyrtim komisioneve eprore sipas sëmundjeve.

Vendimi përcakton se këto komisione do të shqyrtojnë dosjet për sëmundje të përgjithshme, verbërinë, sëmundjet e shëndetit mendor, si dhe paraplegjinë dhe tetraplegjinë.

Ndryshimet

Vendimi i ndryshuar përcakton mënyrën se si do të kryehet vlersimi i aftësisë së kufizuar nga 5 komisione kombëtare dhe 4 komisione eprore pranë Shërbimit Social Shtetëror, dokumentacioni që duhet dorëzuar për përfitim të pagesës, apo rivlersim të saj, si dhe procedurat që duhet të kryehen në rast ankimimi.

Vendimi përcakton se pranë  Shërbimit  Social Shtetëror  do  të ngrihen dhe do të funksionojnë 5  KMCAP-e të  nivelit  të  parë,  që  do të vlerësojnë  në  nivel kombëtar dosjet, me këtë përbërje:

-2  KMCAP të shëndetit mendor, që do të kenë në përbërje psikopediater dhe psikiatër;

-1  KMCAP  i  kirurgjisë,  onkologjisë, ortopedisë  dhe  reumatologjisë,  që  do  të  ketë  në përbërje ortoped, onkolog dhe reumatolog;

– 1 KMCAP    për    paraplegjinë, tetraplegjinë  dhe  neurologjinë,  që  do  të  ketë  në përbërje neurolog;

-1   KMCAP   për   sëmundje   interne (nefrologji, kardiologji, gastroepatologji, endrokrinologji, hematologji, pneumoalergologji),  që  do  të  ketë  në  përbërje internist, kardiolog, nefrolog dhe pneumoalergolog.

“KMCAP-të e nivelit të parë marrin vendim për  grupin  e  përfitimit,  përfitimet  dhe  afatet  e përfitimit për secilin grup. Kundër vendimit të KMCAP-së të nivelit të parë personi mund të bëjë ankim në Komisionin Epror Mjekësor të Caktimit të Aftësisë për Punë (Komisioni Epror)”, percaktohet në vendimin e ndryshuar.

Pranë  Shërbimit  Social  Shtetëror do të  ngrihen  4 komisione eprore, të cilat përbëhen nga 5 anëtarë  për  çdo  komision  dhe  që  zgjidhen  në detyrë  nga   ministri i Shëndetësisë. Komisionet  eprore  të shërbimit social shtetëror janë:  Komisioni Epror për  Sëmundje  të Përgjithshme; Komisioni Epror për  Sëmundje  të Shëndetit Mendor; Komisioni Epror për  Paraplegjinë  dhe Tetraplegjinë; Komisioni Epror për Verbërinë.

Sa pagesë përfitohet

Pagesa e paaftësisë në punë është  10. 653  lekë në  muaj.  Të njëjtën  masë  pagese  përfiton  edhe   ndihmësi personal i personit  me  aftësi  të kufizuar.

Vendimi përcakton se pagesa  e paaftësisë dhe   pagesa   e   ndihmësit personal  indeksohet  çdo  vit  nga  Shërbimi  Social Shtetëror,  në  bazë  të  indeksit  të  çmimeve  të konsumit.

 Sipas vendimit, personat  me  aftësi  të  kufizuar,  gjatë periudhës që ndjekin një kurs kualifikimi përfitojnë  200% pafesën e paaftësisë. Ata që ndjekin arsimin e lartë përfitojnë 3 fishin e pagesës së paaftësisë.   “E  njëjta   masë   pagese   zbatohet   për personat që ndjekin programin e studimit të ciklit të  tretë.  Për  personat  që  ndjekin  studimet  e doktoratës    dhe    për    personat    që    ndjekin procedurat  për  fitimin  e  një  titulli  akademik,  kjo pagesë përfitohet në mënyrë të përhershme, mbi bazën   e   dëshmisë   së   lëshuar   nga   organet kompetente për fitimin e gradës shkencore/titullit akademik”, thuhet në vendim.

Personat  me  aftësi  të  kufizuar,  të  cilët ndjekin,  njëkohësisht,  arsimin  e  mesëm  të  lartë apo  arsimin  e  lartë  dhe  një  kurs  kualifikimi, përfitojnë vetëm njërën nga pagesat.

Sipas vendimit edhe ndihmësit  personalë,  që  ofrojnë  shërbim për më shumë se një përfitues, marrin një shtesë prej 50% të shumave përkatëse për çdo përfitues të shtuar.

Ja kur ndërpritet pagesa

Sipas vendit pagesa e paaftësisë ndërpritet  kur  personi  refuzon  të  kryejë  ekzaminimet e kërkuara; kur  dokumentacioni  për  rivlerësim  nuk paraqitet  sipas    afateve    të    përcaktuara    në rregulloret  e  organizimit,  të  të  drejtave,  detyrave dhe funksionimit të komisioneve të vlerësimit;  kur  personi  nuk  paraqitet  në  komisionin epror  dy  herë  radhazi  dhe  refuzon  të  kryejë ekzaminimet e kërkuara/mjekimin e rekomanduar/ marrjen e shërbimit të rekomanduar;   kur   vërtetohet   që   personi   nuk   është rezident në Shqipëri;  kur  personi  ka  qëndruar  për  më  shumë  se tre   muaj   jashtë   Shqipërisë,  me përjashtim  të rasteve  kur  kjo  ka  ndodhur  për  arsye shëndetësore dhe ata që përfitojnë asistencë sociale.

Shpërndaje