Paralajmërimi i Metës: Nëse s’më marrin seriozisht, pas 15 marsit do të firmos shpërndarjen e Parlamentit

Shpërndaje

Presidenti Ilir Meta firmosi para njerëzve të shumtë të mbledhur në tubimin e thirrur prej tij, dekretin kundër ligjit që i hiqte atij kompetencën e betimit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese, por paralajmëroi se shumë shpejt do të firmoste edhe dekretin për shpërndarjen e parlamentit.

“Do bëjmë çdo për Amerikën që nuk dëmton Shqipërinë dhe shqiptarët.  Kanë ardhur me dhjetëra e me qindra nga Amerika. Këtë flamur e ngrita për respekt të miqve tanë në Amerikë.

Nëse grushti i shtetit, organizata mafioze ndërkombëtare, nuk e merr seriozisht këtë dekret, unë e jap fjalën, në emër të këtij flamuri, për të cilin janë vrarë mijëra e mijëra dëshmorë e heronj, se pas datës 15 mars, kur të përfundojë Reforma Zgjedhore, që është një kusht, populli kuqezi që votoi sot për vdekjen e grushtit të shtetit, unë Ilir Meta betohem se atë dekret nuk do ta firmos këtu, por në mes të Parlamentit, atje, në mes të krimit. Unë i pari dhe gjithë populli kuqezi, jemi populli që vuajtëm më shumë se kushdo komunizmin, jemi një popull që jetën e japim, demokracinë jo”, tha kreu i shtetit.

Presidenti Ilir Meta, me tone të ashpra nga podiumi i ngritur para presidencës, lëshoi një lumë akuzash ndaj mazhorancës qeverisëse, e cila sipas tij është ideatore e grushtit të shtetit ndaj institucioneve kushtetuese, por edhe ideatorë e shpopullimit të vendit me ritmet më të shpejta në rajon.

Z. Meta akuzoi qeverinë se ka kapur dhe po përdor drejtësinë, duke nisur që nga dosjet e grabitjes së zgjedhjeve, të cilat sipas tij nuk po zbardhen qëllimisht…

“Qëllimisht është lënë vendi pa Gjykatë Kushtetuese pasi në kokën e puçistëve ka vetëm një qëllim, kapja e shtetit për interesa të pushtetit. Unë i kam denoncuar në mënyrë institucionale, por drejtësia vazhdon të flejë, se në rast se do të kishte vepruar prej 110 ditësh nuk do ishte e nevojshme t’ju ftoja këtu sot”, z. tha Meta.

Shpërndaje