Zbardhet plani veprues i Operacionit Forca e Ligjit, kjo strukturë zbret sot në terren

Shpërndaje

Operacioni Forca e Ligjit do të jetë një strukturë speciale e cila do të merret me zbatimin e paketës “Anti-KÇK”. Por si do të jetë e organizuar kjo strukturë dhe si do të operojë ajo?

Kjo njësi është krijuar për të luftuar grupet e strukturuara kriminale. OFL ka qenë ekzistuese në Policinë e Shtetit, por me krijimin e SPAK, do të jetë mekanizmi që do të vihet në funksion të zbatim të ligjit special, të miratuar pak ditë më parë me akt normativ nga qeveria, “Anti-KÇK”.

Pas 6 muajsh trajnim të specializuar dhe stërvitje në ambientet e repartit RENEA dhe jo vetëm, OFL do të dalë sot në terren për të zbatuar në bashkëpunim me SPAK-un, Ligjin Special. Aplikimet për tu bërë pjesë e kësaj Task-Force kanë nisur që në dhjetor të vitit 2017, ndërsa si kusht për aplikantët asokohe ishte eksperienca në strukturat qendrore apo vendore kundër drogës , trafiqeve, krimit të organizuar dhe krimit ekonomik.

Kusht tjetër për aplikantët e OFL-së, ishte dhe trajnimi në aspektet e veçanta të hetimit. Kjo njësi speciale e Policisë së Shtetit u prezantua ditën e diel nga kryeministri z.  Edi Rama, në ambientet e repartit RENEA, ndërsa sot nis punën intensive.

Kryeministri, Edi Rama në fjalën e mbajtur një ditë para nisjes së zbatimi të ligjit special të njohur si paketa anti-KÇK, theskoi se ky është një moment i rëndësishëm në luftën kundër krimit të organizuar dhe kurrupsionit.

 “Ka ardhur koha për të gjithë të fortët dhe të pa prekshmit e këtij vendi, që të përgjigjen për pasuritë e tyre. Tani kemi një instrument të fortë në duart e Policisë së Shtetit, ligjin special për marrjen e të gjitha masave të nevojshme pasurore ndaj të gjithë atyre që në 30 vjet janë dënuar apo janë akuzuar për krim të organizuar, terrorizëm, krime të rënda.

Kjo nuk do të vazhdojë në ato proceset fantastike gjyqësore që na kanë bërë gazin e botës ku në fund fare persona me burgim të përjetshëm dalin për të punuar në komunitet. Kjo ka afate. 48 orë formulari, deri në 15 ditë SPAK-u, pastaj deri në 15 ditë gjykata dhe pastaj lamtumirë prona juaj”, tha z. Rama.

Për këtë paketë foli zëvendësministri i Brendshëm z. Besfort Lamallari, teksa ishte i pranishëm në “Good Morning Albanians” në Euronews Albania. Ai tha se krijimi i paketës “anti-KÇK”  nuk do të thotë se ka dështuar ligji antimafia, por shtoi se tani është koha që të rritet numri i sekuestrimeve të paligjshme. 

“Nuk mund të thuhet se ka dështuar, pavarësisht se se numri i sekuestrimeve është rritur  nga viti në vit. Megjithatë, siç është raportuar me shqetësim nga partnerët ndërkombëtarë numri i konfiskimeve mbetet shumë i ulët. Për këtë, një pjesë të fajit do ta konisderoja edhe faktin e problemeve në sistemin gjyqësor.

Ne jemi në një proces rrënjësor dhe domethënës për vendin, që është reforma në drejtësia dhe vetingu i prokurorëve dhe gjyqtarëve, por ajo çfarë synon paketa “anti-KÇK” është diçka që prek segmentin e parë që ka të bëjë me sekuestrimet, është me punë me Policinë dhe me agjencitë e tjera ligj zbatuese, por sigurisht rrit edhe bashkëpunimet  me organet e reja të drejtësisë, kryesisht me SPAK”- tha z. Lamallari.

Përfaqësuesja e PD akuzon qeverinë si pjesë të KÇK-së

Por, Partia Demokratike e sheh ndryshe aksionin e ndërmarrë nga qeveria Rama. Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Dhurata Çupi e pranishme në Euronews Albania kritikoi paketën “anti-KÇK”, të cilën e cilësoi si propagandë të kryeministrit Edi Rama.

“Në fakt nuk është perceptimi besoj edhe tek qytetarët shqiptarë se PD e kundërshton këtë, pikërisht atë çfarë ka bërë PD në këtë shtatë vite këtë ka kërkuar: zbatimin e ligjit që është në fuqi, ligjit antimafia, zbatimin e paketës tashmë siç konsiderohet reforma në drejtësi, ngritja BKH, SPAK dhe strukturave të reformës në drejtësi, pikërisht për të hetuar këtë çfarë kemi thënë.

Jemi sigurisht shumë dëshirëplotë që të ndahet krimi nga qeverisja, gjë që nuk po bëhet. KÇK-ja është vetë qeveria. ka shtatë vite që e kemi kërkuar këtë. Sot është një qeveri e gjithëpërfshirë  me bandat me krimin, abuzimin me pushteti dhe kjo është ajo që kemi kërkuar në fakt. Unë kam përshtypjen që nuk është kështu siç ka thënë përfaqësuesi i i qeverisë.

 Ligji antimafian është në fuqi dhe nuk është ekzekutuar dhe nuk ka pasur qëllim të kësaj qeveria për ta zbatuar. Ne kemi kërkuar që të zbatohet ligji antimafia. Unë mendoj se kjo është një propagandë , është propagandë e kësaj qeveri dhe këtij kryeministri përpara hapjes së  negociatave me BE. Është thjesht pjesë e propagandës, sepse pjesën e bandave, krimit dhe korrupsionit në këto shtatë vite e ka zhvilluar dhe përforcuar kjo qeveri”-theksoi mes tjerash ish-deputetja e PD, znj. Dhurata Çupi.

SHBA dhe BE përshëndesin ligjin special “Anti-KÇK”

Miratimin e ligjit special “Anti-KÇK” është përshëndetur nga ambasadori i Bashkimit Eurpian z. Luigi Soreca si dhe nga diplomatja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, znj. Yurim Kim. Në reagimin e bërë nga zyra e ambasadës amerikane në Tiranë, thuhet se SHBA do të ndjekin me interes të madh zbatimin e ligjit që synon goditjen e krimit të organizuar.

“Ndërsa vazhdon zbatimi i reformave të rëndësishme të drejtësisë, Shtetet e Bashkuara mirëpresin përpjekjet e intensifikuara nga Qeveria e Shqipërisë për të parandaluar krimin e organizuar që të përdorë pasurinë e paligjshme për të minuar themelet e shtetit ligjor’, thuhet mes tjerash në reagimin e ambasadës.

Shpërndaje