600 milionë euro taksa mjedisore, por Shqipëria investon më pak se 2% për mjedisin…

Shpërndaje

Qeveria shqiptare arkëton çdo vit mbi 600 milionë euro nga taksat mjedisore, por vetëm një pjesë minimale e tyre shkon realisht për mbrojtjen e mjedisit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në vitin 2023 u mblodhën rreth 60.4 miliardë lekë, ndërsa fondi i dedikuar për programet mjedisore në Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit ishte vetëm 970 milionë lekë – më pak se 2% e të ardhurave të grumbulluara.

Pjesa dërrmuese e këtyre taksave, gati 90%, vjen nga sektori i energjisë dhe transportit. Megjithatë, në një kohë kur sfidat mjedisore po rriten dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike po shfaqen më qartë, financimi mbetet shumë i ulët. Përmbytjet e nëntorit janë shembulli më i freskët, me dëme të vlerësuara në miliona euro si në bujqësi ashtu edhe në infrastrukturë.

Edhe pse në teori taksat mjedisore ekzistojnë për të financuar mbrojtjen e natyrës, në praktikë ato futen në buxhetin e përgjithshëm të shtetit dhe nuk kanë destinacion të veçantë. Kjo situatë nuk është vetëm shqiptare; edhe vendet e BE përdorin vetëm një pjesë të taksave mjedisore për investime konkrete. Por ndërsa në disa vende shpenzohet deri në gjysmën e këtyre të ardhurave, Shqipëria nuk arrin as 2%.

Në 2023, taksat mjedisore përbënin 9.4% të të ardhurave totale të buxhetit. Në BE, Greqia dhe Bullgaria mbledhin më shumë nga këto taksa, ndërsa Gjermania, Franca dhe Italia investojnë më shumë në projekte të qëndrueshme.

Sipas FMN-së, taksat mjedisore duhet të jenë një instrument që ndihmon në uljen e ndotjes dhe njëkohësisht ruan stabilitetin fiskal. Fondi mbështet taksimin e karbonit dhe nxit investimin e këtyre të ardhurave në energji të pastra, transport publik, menaxhim modern të mbetjeve dhe mbështetje për familjet që preken nga kostot e energjisë. Investime të tilla jo vetëm përmirësojnë shëndetin publik, por edhe e rrisin qëndrueshmërinë ekonomike të vendeve përballë krizave klimatike.

Shpërndaje