Zyrtare: Deri tani 5 shqiptarë mes të plagosurve nga përplasja e dy trenave në Greqi…

Shpërndaje

Pesë persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur konfirmon Ministria jonë e Jashtme.

Përmes një njoftimi për medien shtetasit e plagosur janë jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore ndërsa ende nuk ka informacion nëse ka shqiptarë mes viktimave.

“Bazuar në komunikimin e fundit që ambasada dhe konsullata shqiptare në Greqi kanë patur me autoritetet greke, deri më tani nuk ka informacion për shtetas shqiptarë në rradhët e viktimave të aksidentit hekurudhor. Po vijohet me identifikimin e tyre. 5 persona me nënshtetësi shqiptare rezultojnë të plagosur, jashtë rrezikut për jetën e po trajtohen në kushte spitalore” thuhet në njoftimin e ministrisë mesditën e sotme.

Nga përplasja ballore e trenit me pasagjerë dhe trenit të mallrave, 38 persona humbën jetën dhe 85 të tjerë mbetën të plagosur, nga të cilët 66 janë të shtruar në spital.

Autoritetet po punojnë për identifikimin e viktimave, pasi për disa do të jetë e domosdoshme analiza e ADN-së. Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis nga Larisa ku ndodhi aksidenti garantoi se do të zbardhen shkaqet e tragjedisë. Deri tani i arrestuar është vetëm kreu i stacionit hekurudhor të Larisës.

Shpërndaje