Zhvillohet analiza e punës së Policisë Shkodër për vitin 2021, i pranishëm drejtori i përgjithshëm Gledis Nano…

Fjala e Drejtorit të Drejtorisë Vendore të Policisë së Qarkut Shkodër gjatë Analizës së Punës për vitin 2021.

Drejtues: Hamdi FJORA

E nderuara zonja Prefekte,

I nderuar zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Të nderuar pjesmarrës,

Zhvillojme sot analizën e punës së Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, për vitin 2021.

Gjatë vitit 2021, në qendër të vëmendjes së strukturave të policisë në DVP Shkodër, ka qenë puna për realizimin e prioriteteve dhe objektivave strategjike të përcaktuara në Programin Vjetor të Punës të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, dhe në strategjitë e tjera sektoriale.

Referuar analizave të zhvilluara në të gjitha strukturat e Drejtorisë, rezulton se gjatë kësaj periudhe janë përmbushur me sukses detyrat institucionale për ruajtjen e rendit publik, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Respektimi i lirive e të drejtave të individit, sigurimi i rendit publik, parandalimi i krimit, sidomos mbrojtja e jetës, shëndetit, pronës publike dhe private, por edhe goditja e çdo lloj krimi, kanë qenë prioritetet kryesore të punës tonë.

Kryerja e aktiviteteve dhe marrja e masave efikase në funksion të realizimit të prioriteteve dhe objektivave strategjike të vendosura në Programin Vjetor të Punës së Policia e Shtetit dhe Strategjisë Ndërsektoriale të Sigurisë në Komunitet, kanë bërë të mundur:

  1. Përmirësimin dhe thellimin e punës në luftë kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe krimeve të rënda;
  2. Forcimin e bashkëpunimit me institucionet e tjera shtetërore, me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit, me shoqërinë civile, në funksion të rritjes së sigurisë në qark;
  3. Rritjen e kërkesës për zbatimin e ligjit duke garantuar respektimin e lirive e të drejtave të njeriut, forcimin e nivelit të sigurisë publike nëpërmjet organizimit e funksionimit të shërbimeve të policisë për kontrollin e plotë të territorit.
  4. Rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe besimin e publikut tek policia, reduktimin e krimit të rrugës, reduktimin e dhunës në familje, ruajtjen e rendit dhe parandalimin e aksidenteve rrugore;

Me vullnet të plotë janë tejkaluar vështirësitë e përballjes me ndryshimin, duke inkurajuar dhe ndërtuar punën në grup në të gjithë nivelet e menaxhimit policor duke u udhëhequr gjithmonë nga informacioni inteligjent, analiza në shkallë strategjike e taktike dhe planifikimi me detyra e objektiva të qartë, shoqëruar hap pas hapi me një proces raportimi dhe kontrolli hierarkik.

Ndërtimi i një komunikimi efektiv me publikun, institucionet, agjenci të zbatimit të ligjit dhe aktorë të tjerë të interesuar në Qarkun Shkodër, padyshim është një faktor pozitiv dhe që duhet konsideruar si arritje dhe sukses i përbashkët!

Do të analizojmë në tërësi veprimtarinë e DVP Shkodër, duke u fokusuar në tre shtylla kryesore: tek kriminaliteti; tek rendi publik dhe tek siguria rrugore, duke përmendur nominalisht për secilën strukturë, realizimin ose jo të objektivave të përcaktuara në Strategjinë Vjetore të Policimit dhe Sigurisë Publike të DVP Shkodër për vitin 2021.

I – KRIMINALITETI

Gjatë vitit 2021 janë evidentuar 1999 vepra penale dhe janë zbuluar 1753, me 2392 autorë të implikuar, 581 nga të cilët janë arrestuar, 152 janë ndaluar, 1473 janë ndjekur në gjendje të lirë dhe 186 janë shpallur në kërkim.

Gjatë vitit 2020 janë evidentuar 1760 vepra penale dhe janë zbuluar 1636 me 2026 autorë të implikuar, 402 nga të cilët të arrestuar, 135 të ndaluar, 1363 të ndjekur në gjendje të lirë dhe 126 të shpallur në kërkim. ​

o Rezulton se në vitin 2021, në Qarkun Shkodër, është rritur kriminaliteti me 11.9% dhe është ulur zbulueshmëria me 5%.
o Dendësia e kriminalitetit për vitin 2021, referuar tendencave të veprave penale sipas drejtimit dhe territorit, dominohet nga numri i veprave penale që ka hetuar Seksioni për Krimet në Komisariatin e Policisë Shkodër, specialistët e të cilit kanë hetuar mesatarisht 34% të totalit të veprave penale në Qarkun Shkodër.
o Pasuar nga figurat e veprave penale të krimeve ekonomike dhe financiare që zënë rreth 21% të totalit të veprave penale të evidencuara në Qarkun Shkodër.
o Dhe më pas veprat penale në fushën e qarkullimit rrugor me rreth 14% të totalit të veprave penale të evidencuara në Qarkun Shkodër.

KRIMET KUNDËR PERSONIT

​Megjithëse krahasuar me një vit më parë, veprat penale kundër personit në Qarkun Shkodër janë ulur me 9%.

​Gjatë vitit 2021, janë evidencuar gjithsej, 254 vepra penale kundër personit dhe janë zbuluar 242 ose 95%, që krahasuar me një vit më parë rezulton se janë pakësuar me 24 vepra penale më pak, ose 9%, me një ulje të zbulueshmërisë 2% më pak.

Janë evidencuar 36 vepra penale të krimeve të rënda kundër personit dhe janë zbuluar 33 me një zbulueshmëri prej 92%, që krahasuar me një vit më parë janë 8 vepra penale ose 22% më shumë dhe me një rënie të zbulueshmërisë me 4%.

o Janë evidencuar 9 vrasje nga të cilat 6 të zbuluara, ose 5 vrasje më shumë se një vit më parë.
o Janë rritur plagosjet e rënda me dashje ku janë evidencuar 15 ose 8 më shumë se viti 2020, si dhe janë ulur vrasjet e mbetura në tentativë ku janë evidentuar 7 ose 10 më pak se një vit më parë.
o Theksojmë se në të dy këto drejtime veprat penale janë të dokumentuara 100%.

o Ulje kanë pësuar të gjithë krimet e tjera të lehta kundër personit, si plagosjet e lehta me dashje, krimet seksuale dhe kanosjet.
o Dhuna në familje vijon të mbetet një problem social në Qarkun Shkodër megjithëse janë evidencuar 60 raste ose 12 raste më pak se një vit më parë. Nga ana tjetër janë rritur së tepërmi rastet e lëshimit të urdhrave të mbrojtjes, ku janë lëshuar 139 urdhra mbrojtjeje ose 33 më shumë se në vitin e kaluar.

Kësaj veprimtarie i jemi kundërpërgjigjur me forcën e ligjit, duke u thelluar në hetime në bashkëpunim me prokurorinë, për të çuar deri në fund dokumentimin e çështjes dhe vendosjen e autorëve përpara drejtësisë.

​Vlen të përmendet puna e mirë e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në dokumentimin e autorësisë së një vrasjeje të ndodhur në qytetin Shkodër në fund të muajit Maj 2021, autori i së cilës, anëtar i një grupi kriminal për krimet e rënda, në ngarkim të së cilit administrohen të dhëna si ekzekutor i shumë vrasjeve tre vitet e fundit.

KRIMET KUNDËR PRONËS

​Një situatë e përmirësuar paraqitet në grupin e veprave penale kundër pronës, pasi evidencohet ulje e ndjeshme me 17% e kriminalitetit në krimet kundër pronës dhe pasurisë së qytetarëve.

​Gjatë vitit 2021, janë evidencuar 350 vepra penale kundër pronës e pasurisë dhe janë zbuluar 285 ose 81% e tyre. Ndërsa gjatë vitit 2020 janë evidencuar 424 vepra penale dhe janë zbuluar 363 prej tyre ose 85%. Pra gjatë viti 2021 kemi një ulje prej 74 veprash penal kundër pronës krahasur me vitin 2020.

KRIMET NË FUSHËN E NARKOTIKËVE

o Janë evidencuar 89 vepra penale në fushën e narkotikëve, ose 48 më shumë se një vit më parë.
o Evidentohet një rritje e goditjeve të prodhim-shitjes së narkotikëve, ku janë evidencuar 75 raste ose 38 më shumë se një vit më parë.
o Rritje ka pësuar edhe goditja e rasteve të trafikimit të narkotikëve, pasi janë evidencuar 12 raste ose 8 më shumë se një vit më parë.
o Rritje ka pësuar kultivimi i bimëve narkotike, ku janë evidencuar 211 raste ose 162 më shumë se një vit më parë.

Punë e mirë është bërë për goditjen e pesë rasteve të shitjes së farës së kanabisit si dhe operacionet policore “Rrjeta” dhe “Metadoni”, hetuar dhe realizuar me metoda speciale të hetimit, ku si rezultat solli goditjen e dy grupeve kriminale dhe sekuestrimin e një sasie lënde narkotike dhe të një arsenali armësh.

Kontrolli i territorit me mjete fluturuese të pajisura me kamera speciale vëzhgimi, për shkak të relievit të thyer e terrenit malor e tepër malor, i vështirë për t`u arritur nga këmbësorët, ashtu si edhe vitet e shkuara, ka qenë më shumë efektiv se çdo mënyrë apo metodologji e përdorur për lokalizimin, gjetjen dhe asgjësimin e kanabisit në Qarkun Shkodër.

Për gjithë këtë veprimtari të lartpërmendur, për periudhën Janar – Dhjetor 2021, në Qarkun Shkodër janë evidencuar 211 vepra penale të kultivimit të bimëve narkotike dhe janë zbuluar 84, ose 40%. Janë implikuar në këtë veprimtari kriminale 156 autorë, 50 nga të cilët janë arrestuar, 33 janë ndaluar, 50 ndiqen në gjendje të lirë dhe 23 janë shpallur në kërkim.

o Janë goditur dy grupe kriminale të evidencuara në tendencën e organizimit, financimit dhe kultivimit të bimëve narkotike në Qarkun Shkodër.
o Janë goditur 5 raste të shitjes së farës së kanabisit, duke sekuestruar dhe hequr nga qarkullimi 13.215 farë të bimës.
o Jane goditur dy raste te kultivimit te bimeve narkotike ne ambjente te mbyllura, me llampa.

o Për moskryerjen e detyrave ligjore sipas kompetencave, janë proceduar penalisht, për veprat penale të shpërdorimit të detyrës dhe moskallëzim krimi, 30 autorë të tjerë të veprave penale, nga të cilët 17 me detyrë kryepleq të fshatrave, 9 inspektorë të mjedisit/pyjeve, 2 roje ujësjellësi si dhe 2 elektricistë.

KRIMET NË FUSHËN E TRAFIQEVE TË PALIGJSHËM

o Janë evidencuar 46 vepra penale të dokumentuara në fushën e trafiqeve të paligjshëm ose 13 më shumë se një vit më parë, ose 28% më shumë.
o Megjithëse rritjet janë pozitive, duhet të bëhet më tepër në drejtim të goditjes së trafiqeve të paligjshëm.
o Rritje ka pësuar trafikimi i mjeteve luksoze motorike.
o Kanë pësuar ulje krimet në fushën e prostitucionit dhe trafikimi i personave.

​KRIMET NË FUSHËN E KRIMIT EKONOMIK E FINANCIAR

​Rezultate pozitive janë shënuar në goditjen e krimeve ekonomike-financiare, ku janë evidencuar 418 dhe zbuluar 404 vepra penale në fushën e krimeve ekonomike e financiare. Rezulton se kemi rritje të goditjes së këtyre veprave penale me 180 raste më shumë ose 43%

KRIMET KUNDËR MJEDISIT

​Për vitin 2021 janë parandaluar ndërtimet e paligjshme dhe shtuar njëkohësisht goditjen e paligjshmërisë në territor, në fushën e prerjes së paligjshme të pyjeve. Pavarësisht nismave, bashkëpunimit dhe planeve të masave për mbrojtjen, kontrollin dhe monitorimin e territorit, mjedisit dhe pyjeve në Qarkun Shkodër, ende kërkohet vëmendje e lartë nga të gjitha strukturat përgjegjese.

​Gjatë vitit 2021 janë evidencuar 125 vepra penale kundër mjedisit ose 50 më pak se një vit më parë. Janë evidencuar 76 ndërtime të paligjshme, ose 41 më pak se një vit më parë, ose 35%. Aksionet e ndërmarra në bashkëpunim me IKMT në kuadër të Task Forcës Vendore për Mjedisin, për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën bregdetare me përparësi turistike të Plazhit të Velipojës, dhanë efektin e pritur të parandalimit të ndërtimeve të paligjshme.

KRIMET KUNDËR RENDIT PUBLIK DHE SIGURISË

​Ka tregues të mirë në evidencat e veprave penale kundër rendit publik dhe sigurisë. Nga shërbimet që kontrollojnë zonat policore si dhe me plan-operacione janë kapur dhe hequr nga qarkullimi 87 armë që mbaheshin pa leje nga personat në ambiente publike dhe private, ose 24 më shumë se një vit më parë.

KËRKIMI I PERSONAVE

​Strukturat e DVP Shkodër, gjatë vitit 2021, kanë punuar mirë me kërkimin, lokalizimin, gjetjen dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim apo që i fshihen drejtësisë, disa prej të cilëve të dënuar për vepra të rënda penale dhe të rrezikshëm për shoqërinë.

Evidencohet ende një numër i personave në kërkim, ku vend kryesor e zënë ata që ndiqen nga seksioni për hetimin e krimeve të rënda, pra ata që edhe paraqesin rrezikshmëri më të lartë shoqërore si dhe mund të aktivizohen në aktivitete të tjera kriminale. Strukturat e policisë kriminale në situatën që operojmë, duhet të shfrytëzojnë të gjithë kapacitetet që administrojnë, dhe jo vetëm, për të kryer hetime të mirëfillta policore, kryerja me cilësi e të cilave siguron suksesin në operacionet për kapjen e personave në kërkim.

o Janë kapur 107 persona në kërkim, ose 2 më shumë se një vit më parë.
o Nga 238 persona në kërkim, 68 prej tyre janë shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe 55 janë në kategorinë “Të humbur”.

QARKULLIMI RRUGOR

​Gjatë vitit 2021 janë evidencuar 289 vepra penale të qarkullimit rrugor dhe janë zbuluar 267, ose 92%. Ndërsa raportohet se është rritur numri i regjistrimit të automjeteve dhe mjeteve që qarkullojnë në Qarkun Shkodër, rezulton se në krahasim me vitin 2020, kur janë evidencuar 330 vepra penale dhe zbuluar 320 ose 97%, është ulur goditja e veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor me 12% si dhe është ulur zbulueshmëria e tyre me 5%.

o Janë ulur evidencimi i shkeljeve te rregullave të qarkullimit rrugor, sepse janë evidencuar 119 dhe zbuluar 108, ose 21 shkelje më pak se një vit më parë.
o Janë ulur goditjet ndaj drejtuesve të parregullt të automjeteve, sepse janë evidencuar 155 raste ose 28 raste më pak se një vit më parë.
o Janë evidencuar 15 raste të largimit nga vendi i aksidentit, nga të cilat 4 të zbuluara që krahasuar me një vit më parë janë 3 raste më pak por me zbulueshmëri më të ulët rreth 30%.
o Janë evidencuar 26 aksidente rrugore, ose po aq sa një vit më parë.
o Evidencohen 17 viktima që kanë ndërruar jetë në aksidentet rrugore, ose 3 më shumë se vjet.
o Evidencohen 7 të plagosur rëndë, ose 4 më pak se një vit më parë.
o Evidencohen 9 të plagosur lehtë, ose 5 më pak se një vit më parë.

PRIORITETET PËR VITIN 2022

• Përmirësimi i bashkepunimit polici-qytetar nëpërmjet komunikimi dhe sjelljes proaktive ndaj çdo shqetesimi të adresuar nga qytetaret në drejtim të policise.

• Forcimi i masave për kontrollin e plotë të territoret për mbrojtjen pa kompromis të pronës publike dhe private nga çdo veprimtari e paligjshme, në fokus ruajtja e mjedisit, zonave të mbrojtura, zonave me prespektivë për zhvillim turistik.

• Thellimi i bashkëpunimit me Prokurorinë dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese për kontrollin dhe goditjen e grupeve kriminale në fushën e krimeve të rënda dhe krimit të organizuar.

• Reduktimi i kultivimit të cannabis në qarkun Shkodër duke synuar sekuestrimin e farës të bimëve dhe goditjen e individëve apo grupeve që organizojnë, financojnë dhe kultivojnë bimeve narkotike në ambjente të hapura dhe të mbyllura.

• Rritja e parametrave të sigurisë rrugore në akset nacionale dhe rurale të qarkut Shkodër nëpërmjet përdorimit të teknologjisë dhe analizës së rriskut.